Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë-Kroaci në mbrojtje, ekspertët: Aleanca nuk është kërcënim për rajonin

Aktualitet

Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë-Kroaci në mbrojtje,

Më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia avancuan bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët që ka për qëllim forcimin e ndërveprueshmërisë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe luftimin e kërcënimeve hibride. Po ashtu, në deklaratë është theksuar nevoja për koordinim të politikave për integrimin euroatlantik.

Ekspertët e sigurisë thonë se kjo aleancë është një reflektim i ndryshimeve të mëdha gjeopolitike dhe kërcënimeve në rritje që i kanosen shteteve të rajonit, duke e bërë bashkëpunimin më të thelluar si një përgjigje ndaj këtyre sfidave.

Skender Perteshi, ekspert i sigurisë, theksoi se këto marrëveshje janë një reagim ndaj rreziqeve që i kanosen shteteve dhe rajonit. Në këtë kuadër, partnerët strategjikë të Kosovës, Kroacia dhe Shqipëria, mund të ndihmojnë në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO dhe bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Njohësit e sigurisë nënvizojnë se ky bashkëpunim nuk paraqet një kërcënim për ndonjë shtet të rajonit, përfshirë Serbinë, pasi bëhet fjalë për një koordinim më të thelluar ushtarak që forcon vlerat perëndimore dhe ato të NATO-s. Po ashtu, ata theksojnë se marrëveshja e nënshkruar nuk ka për qëllim të ofrojë ndihmë ushtarake në rast sulmi, por është një formë e bashkëpunimit dhe mbështetjes në situata krizash të mundshme.

Në këtë kuadër, një tjetër aspekt i marrëveshjes është promovimi i bashkëpunimit në prodhimin e industrisë së mbrojtjes. Gjithashtu, qeveria e Kosovës, një javë më parë, miratoi një nismë për lidhjen e një Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ME TE LEXUARAT