Banorët e Selenicës në Vlorë bllokojnë rrugën: 35 vite në harresë, na mungon infrastruktura

Banorët e disa fshatrave të bashkisë Selenicë, pjesë e qarkut Vlorë, kanë zhvilluar mëngjesin e së dielës një protestë në hyrje të rrugës së fshatit.
Ata shprehen të revoltuar për mungesën e investimeve në segmentin rrugor që lidh fshatrat Velçë, Matogjini, Bashaj, Vërmiku dhe Ramicë, me gjatësi rreth 10-15 kilometra, i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të degraduar infrastrukturore.
Protestuesit, me pankarta në duar dhe thirrje si “Duam rrugë”, “Nuk presim më” dhe “Kërkojmë investime”, kanë bllokuar për disa minuta edhe rrugën hyrëse të fshatrave, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për rehabilitimin e saj.


