Banka e Shqipërisë: Kreditë për shtëpi u rritën me 8.7%
Rreth 5 për qind e familjeve shqiptare rrezultojnë të kenë një kredi për shtëpi. Kjo sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë e cila thekson se në tre vitet e fundit numri i kredive për shtëpi është rritur me 19%.
Rritja e numrit të kredimarrësve për shtëpi është reflektuar edhe në shumën e kredive të disbursuara nga bankat e nivelit të dytë. Kështu për periudhën 8-mujore të vitit 2023, vlera e kredisë për strehim arriti në mbi 30.9 miliardë Lekë.
Ndërkohë që për të njëjtën periudhë portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët arriti në vlerën e rreth 176 miliardë Lekëve ose rreth 1.66 miliardë Euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e portofolit të kredisë për shtëpi është rritur me 8.7%.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Shifrat e këtij viti të Bankës Qendrore tregojnë se në përgjithësi normat e interesit për këtë produkt kanë ndjekur një tendencë rënëse, pas rritjes së shpejtë në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Nga ana tjetër, raporti i kredive me probleme për shtëpi është ndjeshëm më i ulët krahasuar me portofolin total të kredisë të sektorit bankar dhe në mesin e këtij viti, raporti i këtyre kredive për të gjithë portofolin ishte 5.2%.