Arkeologu: Më pushuan nga puna, objektet ilire më thanë t’i bëja helene

Nuk ka pranuar të shënojë në kartela përkatësi helene për objektet arkeologjike ilire dhe është pushuar nga puna.
Ky është pretendimi që ngre në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, arkeologu sarandjot Halil Shabani.
Autor i më shumë se dhjetë librave kushtuar arkeologjisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, përgjatë vitit të fundit ai ka punuar si përgjegjës sektori i arkeologjisë në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë.
“Më dt.01.04.2013, drejtori i DRKK, Panajot Gunari, më pushon nga puna me motivacionin e ardhjes së strukturës së re, prej së cilës, nga 13 vende pune, DRKK-ja bëhet me 12 të tilla.
Drejtori pushoi dy persona, mua dhe ing. Grigor Marton”, – shpjegon Halil Shabani.
Po atë ditë, sipas tij, është emëruar në punë në detyrën e përgjegjësit të Sektorit të Artit, Arkitekturës dhe Arkeologjisë, zoti Vangjel Zafirati, me specialitet ekonomist.




