Arjola Xoxa: Harabel nuk ka marrë asnjë fond nga Bashkia Tiranë! Erioni ka ardhur në zyrë vetëm njëherë kur ka sjellë djalin!

Aktualitet

Arjola Xoxa: Harabel nuk ka marrë asnjë fond nga Bashkia Tiranë!

Nga Arjola Xoxa

Në lidhje me HARABEL CONTEMPORARY.

Një sqarim tjetër mbi “Harabelin”, që për disa paska qenë një grabitqar i madh.

Së pari, Harabel Contemporary nuk është një shoqëri tregtare (kompani), por është një Organizate Jo-Fitimprurëse (OJF). Kjo, në bazë të ligjit shqiptar, do të thotë se Harabeli NUK ka pronarë dhe NUK gjeneron fitim dhe nëse në fund të vitit financiar në llogarinë e një OJF-je mbeten të holla, ato NUK shpërndahen dhe as transferohen, por mbeten në arkën e organizatës dhe përdoren për projektet e saj në vitet pasardhëse.

Çuditërisht, në akt-akuzën ndaj meje thuhet se unë qenkam “pronare” e Harabel. A shkruhet kështu sepse akuzuesit ngatërrojnë ç’është ligjërisht një OJF apo se nuk kanë dashur të kuptojnë se unë nuk jam pronare e Harabel as ligjërisht, as praktikisht, këtë s’di ta them. Kohët e fundit nuk kuptoj më dot edhe gjëra që deri dje më dukeshin të thjeshta fare.

 

OJF-ja që e quajtëm me emrin Harabel nisi ideimin në vitin 2017 dhe u themelua në fillim të vitit 2018. Pra ka kryer 7 vite veprimtari deri më sot. Ideimi ishte produkt i bashkëbisedimeve mes meje dhe Driant Zenelit, artist i mirënjohur bashkëkohor në Shqipëri, por sidomos ndërkombëtarisht. Në themelimin e OJF-së na u bashkuan edhe 2 vajza të tjera.

Harabel lindi nga dëshira për të dhënë një kontribut serioz dhe ndihmues në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk pati kurrë qëllime fitimi, madje përkundrazi dhe për këdo që e njeh këtë fushë nuk është fare për t’u çuditur që të angazhohesh për të ndihmuar jo për të fituar. E kundërta do t’i çudiste të gjithë, sepse me art mund të fitojnë galeritë e mëdha ndërkombëtare, të tjerat mbijetojnë, ndërsa OJF-të as që nuk lindin për të fituar.

 Harabel ka numëruar edhe me dhjetëra punonjës me kontratë pune, të cilët kanë punuar gjithmonë me një pasion aq të madh, sa për shumë dembelë ka qenë shumë e vështirë të besonin se si ia dilnim të bënim kaq shumë punë. Ia kemi dalë dhe kemi qenë dhe jemi një skuadër pozitive (pavarësisht traumës së kalimit në testin e presionit psikologjik të këtij hetimi haluçinant), me pasionin për artin dhe dëshirën e mirë për t’i bërë mirë qytetit dhe vendit tonë.

Gjatë këtyre 7 viteve, që në themelim, unë kam qenë anëtare dhe Drejtuese e Bordit të Harabel (pa pagesë). Nuk kam qenë Drejtoreshë Ekzekutive e Harabel (jemi në proces) dhe angazhimi im si Drejtuese Artistike e Harabel ka qenë pa pagesë (jam paguar vetëm për 3 projekte specifike, të cilat do t’i listoj më poshtë; dhe e rinënvizoj, kjo është normale në botën artit, ndërkohë që unë të ardhurat e mia i kam nga studioja e avokatisë).

Në total, në 7 vite aktivitet, bilanci financiar i Harabel ka qenë 4 vite me minus dhe 3 vite me një plus të vogël. Edhe në 2 vitet e fundit, Harabel ka bilanc negativ. Pra, thënë thjesht: Harabel mban veten e vet, dhe jo me lehtesi (edhe kjo është krejt normale në botën e organizatave jofitimprurëse të artit e kulturës).

Nga të gjitha fondet e Harabel kanë përfituar me qindra e qindra artistë e të punësuar për realizimin e projekteve artistike, për qindra projekte.

Në 7 vite ekzistencë të Harabel, unë jam paguar gjithsej 20’521 euro brut (që do të thotë 17’442 euro net) në total, për 3 projektet si më poshtë:

– 8’858 euro net, për projektin 2 vjeçar SPARE, projekt i financuar nga Creative Europe (pra fond europian), me Harabel si partner dhe jo si lider, pjesë e një grup organizatash të huaja pjesëmarrëse, ku jam përzgjedhur nga ky grup organizatash në Skuadrën Drejtuese Artistike të projektit (këtë emër mbante) përgjatë 2 viteve të projektit;

– 4’335 euro net, për menaxhimin artistik të prodhimi të një filmi mbi Sabiha Kasimatin, financuar nga Fondacioni Merz (Itali);

– 4’250 euro net, për dizenjimin vizual të Festivalit të Dancit Bashkëkohor, projekt i Angjelin Preljocaj, D18 (Paris) dhe MEKI, pagesë e cila është financuar nga një kompani e madhe private shqiptare, shumë e njohur në mbështetjen e projekteve kulturore.

Pra, sic thashë, jam paguar 17’442 euro net në 7 vite punë për Harabel dhe zero nga këto pagesa të miat kanë prejardhje nga fonde publike. Të gjitha këto i kam deklaruar edhe në deklaratën time vjetore në ILDKPI.

Unë jam munduar gjithmonë të qëndroj në hije të Harabel, e kam ditur fort mirë se një kategori mediatike kërkon gjithmonë ta lidhë veprimtarinë time me Erionin. Ndërkohë e vërteta është që Erioni gjithnjë ka qëndruar larg dhe ka dyshuar shpesh se ky aktivizmi im social-kulturor do të më kthente në target. (Në të gjithë këto 7 vite të ekzistencës së Harabel apo 17 vite të punës time si juriste apo avokate, Erioni ka ardhur në zyrat tona vetëm 1 herë, po po, vetëm NJE herë, dhe atë herë ka ardhur për të sjellë djalin.)

Por unë s’kam dashur ta besoj se duhet t’i rrija larg pasionit tim për artin e kulturën, vetëm pse im shoq është politikan.

Shumëkujt mund t’i duket habi pse një avokate, me disa shkollime në drejtësi, merret me art. Kjo vjen sepse e gjithë familja ime është e përbërë nga artistë, dhe kur them e gjithë familja, dua të them E GJITHA. Në këtë habitat jam rritur dhe arti është si uji për peshkun për mua. Kam bërë edhe një master në Universitetin e Arteve të drejtuar nga Prof. Vladimir Myrtezaj në 2019-2021, të cilin e kam ndjekur me një përpikmëri kirurgjikale.

Nga të gjitha punët që kam bërë në jetë, dhe janë shumë, puna artistike me Harabel është ajo që kam dashur e dua më shumë. Më dhemb në shpirt kur baltoset puna e Harabel për arsye të ulëta politike e mediatike, në shpirt. Çfarëdo të thotë kushdo e të mundohet ta ulë punën tonë, e vërteta është kjo.

Po aq është fakt se kemi bërë një punë shumë të madhe e domethënëse për skenën kulturore shqiptare. Ata që na kanë ndjekur, e dinë. Të tjerët do ta mësojnë kur pafajësia ime të marrë vulën e drejtësisë

ME TE LEXUARAT