Apeli e riktheu në burg por Lefter Koka ndodhet jashtë vendit/ Avokati: Po kurohet

Aktualitet

Apeli e riktheu në burg por Lefter Koka ndodhet jashtë vendit/

Megjithëse Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranë, vendimi ende nuk është ekzekutuar pasi ai ndodhet jashtë vendit prej rreth katër muajsh e gjysmë.

Avokati i tij, Maksim Sota, deklaroi se ish-ministri ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ndodhej në burg dhe se pas lirimit në muajin dhjetor është larguar jashtë Shqipërisë për të marrë trajtim më të specializuar mjekësor.

Sipas avokatit, vendimi i Apelit i është komunikuar Kokës dhe ai pritet të kthehet në vend sapo të përfundojë kurimin.

Lefter Koka u dënua më 16 prill 2025 nga Gjykata e Shkallës së Parë me dy vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim në procedurat që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranë.

Gjykata kishte urdhëruar më herët shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e tij për këtë çështje, me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë kohës së paraburgimit, por çështje të tjera që lidhen me kontratat koncesionare të Elbasan dhe Fier penguan lirimin e menjëhershëm.

Ai u lirua në dhjetor nga Gjykata e Durrësit pasi u vlerësua se kishte përfunduar dënimet e dhëna ndaj tij.

Gjatë procesit në Apel, prokuroria kërkoi rillogaritjen e masës së dënimit, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila vendosi prishjen e pjesës së vendimit për shuarjen e masës së sigurisë, duke kërkuar që ish-ministri të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

 

 

ME TE LEXUARAT