Droga e fshehur në karikues telefoni! Shpërndante kokainë me motor, arrestohet 23-vjeçari shqiptar në Itali

Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Karabinierët në Cesena, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Arrestimi u krye gjatë një operacioni antidrogë pranë stacionit të trenit në qytet, pasi autoritetet kishin marrë informacione se i riu lëvizte me motoçikletë dhe furnizonte konsumatorë në zona të ndryshme të Cesena, madje duke ua dërguar drogën edhe në banesë.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi 32 doza kokaine me peshë totale rreth 17 gramë, të fshehura në mënyrë të sofistikuar brenda një karikuesi telefoni, ku ishte krijuar një hapësirë sekrete.
Në momentin e arrestimit, 23-vjeçarit iu gjetën edhe rreth 1 mijë euro cash, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Autoritetet sekuestruan lëndën narkotike dhe shumën e parave, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Forlì ai u mbajt në paraburgim deri në zhvillimin e seancës gjyqësore.
Më pas, Gjykata e Forlì konfirmoi arrestimin dhe e dënoi shqiptarin me dy vite burg pas procedurës së gjykimit të shkurtuar.


