Policia zbardh detajet e aksidentit në Durrës–Tiranë: Një viktimë dhe 12 të plagosur, ndryshon bilanci fillestar

Aktualitet

Policia zbardh detajet e aksidentit në Durrës–Tiranë:

Një aksident tragjik u regjistrua ditën e sotme në aksin Tiranë-Durrës me 1 të vdekur dhe 12 të plagosur. Një autobus me pasagjerë ishte nisur nga Berati për në kryeqytet, kur drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe mjeti është përmbysur në mes të rrugës.

Nga pamjet përplasja ka qenë aq e fortë sa që autobusi ka marrë para dhe barrierat e rrugës të cilat kanë depërtuar brenda mjetit.

Viktimë e aksidentit mbeti vetëm shoferi. Ndërkohë, 12 të lënduarit ndodhen për mjekim te Spitali i Traumës. Burime për mediat bëjnë me dije se 7 prej pasagjerëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përfshirë edhe një fëmijë i intubuar.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shoferi i mjetit ka pësuar infarkt dhe ka humbur kontrollin e mjetit.

Njoftimi i Policisë:

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtuesi i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se, si pasojë e aksidentit, kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion