Aksident në Lushnjë–Berat, makina rrotullohet disa herë pas përplasjes, 28-vjeçarja përfundon në spital

Një aksident rrugor ka ndodhur në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër nacional Lushnjë–Berat.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin udhëtonte një 28-vjeçare është përplasur me barrierat anësore të një ure dhe, pas disa rrotullimeve, ka përfunduar i përmbysur në njërën anë në mes të rrugës.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e mjetit ka mbetur e plagosur dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po dokumentojnë rrethanat e aksidentit dhe po hetojnë shkaqet e tij, ndërsa njëkohësisht kanë disiplinuar qarkullimin në këtë segment rrugor.
Nga verifikimet e para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi automjet nga drejtuesja.


