8 milionë euro për SMS-të, “lumë ankesash” ndaj E-Albanias: Nuk hyjmë dot prej një jave

Edhe pse “u shit” si një veprim që do të rriste cilësinë dhe sigurinë, vendosja e sistemit të hyrjes me kod në platformën qeveritare e-Albania, e ka bërë atë të pa aksesueshme nga shumë qytetarë, brenda dhe jashtë vendit.
Një emigrant në Itali, ka kërkuar ndihmë në rrjetet sociale pasi së fundmi, ka humbur aksesin në platformë.

Ndërkohë qytetarë të tjerë thonë se megjithëse ndjekin hapat e nevojshëm që kërkohen, sërish kodi 6 shifror nuk u shkon as në e-mail por as me SMS.
Sipas tyre, ky është një problem shqetësues, por jo i vetmi.

Qytetarë të tjerë që arrijnë të logohen në platformë, thonë se nuk veprojnë dot me dokumentet pasi faqja e-albania nuk bën “upload” për rastet kur dokumente të ndryshme duhet të ngarkohen në sistem.

Megjithë luksin e tenderave miliona eurosh, ku më i fundit, ai i SMS-ve që po ua vështirëson jetën qytetarëve ka kushtuar 8 milionë euro në buxhetin e shtetit për dy vjet, e-albania sipas ankesave të qytetarëve nuk aksesohet në pajisjet apple.

Faqja zyrtare e platformës në rrjetet sociale është kthyer në një burim njoftimesh pa kuptim ditët e fundit për përditësimin e të dhënave, pasi mesa duket, stafi e di shumë mirë vështirësinë që u ka sjellë qytetarëve me vendosjen e hyrjes me kodin që vjen me SMS.
Kjo pasi raportimet janë të shumta se megjithëse kryejnë veprimet, kodi nuk shkon në telefonat apo e-mailin e qytetarë në shumë raste.
Persona të tjerë kanë ndryshuar numrat e telefonit ose adresat e e-mailit duke humbur kështu aksesin në platformën qeveritare që u nevojitet cdo ditë qytetarëve dhe bizneseve.
shërbimi i SMS-ve ofrohet nga dy kompanitë private, 1 UP LABS, me nipt M02102002A, me administrator Enjan Gazhga dhe me aksionerë përkatësisht: Enjan Gazhga - 80% dhe Klaudian Dhefto - 20% dhe H O R I Z O N, me nipt K52225004V me administrator Vasileios Stachos dhe me aksionerë, Comscope Limited - 75% dhe Enea Buza - 25%.
AKSHI u ka dhënë këtyre dy subjekteve plot 8 milionë euro nga buxheti i shtetit, për një afat 2-vjecar për shërbimin e SMS-ve që u dërgohen individëve dhe bizneseve që logohen në e-albania./lajmifundit.al

