15 VITE BURG për këdo që shkakton zjarrvënie të qëllimshme! Paralajmëron ministri: Do të godasim çdo rast

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi se autorët e zjarrvënieje të qëllimshme do përballen me dënim deri në 15 vite burg. Gjatë prezantimit të planit kombëtar të gatishmërisë për sezonin e zjarreve në Bazën Ajrore të Farkës, Lamallari tha se qeveria ka forcuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për goditjen e çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme.
Ministri tha gjithashtu se Shqipëria do të forcojë më tej kapacitetet për përballimin e zjarreve me investime të reja. Sipas tij, flotës aktuale do t’i shtohen tre avionë zjarrfikës në pronësi të shtetit shqiptar, ndërsa është planifikuar financimi i 130 mjeteve të reja zjarrfikëse dhe ndërtimi i katër stacioneve të reja në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.
“Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale. Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithsecilit prej nesh dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Ndryshimet në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndëshkimet për zjarrvënien, e cila dënohet me deri në 15 vite burg. Çdo akt i tillë përbën kërcënim jo vetëm për natyrën, por edhe për sigurinë kombëtare.
Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë. Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara. Shqipëria është më e përgatitur se dje dhe plotësisht e gatshme për sfidat që na paraqet ky sezon. Së bashku do ta përballojmë këtë sfidë me profesionalizëm, disiplinë dhe bashkëpunim.”- u shpreh Besfort Lamallari.