Muzika e lartë pas orës 24:00, gjobitet me 2 mln lekë pronari i ‘beach bar’ në Himarë, procedohen dhe 4 klientë

Aktualitet

Muzika e lartë pas orës 24:00, gjobitet me 2 mln lekë pronari i

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në zbatim të planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror, si dhe bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike, kanë vijuar kontrollet dhe matjet në subjekte të hapura dhe të mbyllura që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në Potam dhe Dhërmi.

Gjatë kontrolleve, përveç subjekteve ku u kryen verifikime dhe matje dhe që rezultuan brenda kufijve të lejuar të zhurmës, u konstatua se në një beach bar në Potam gjenerohej muzikë në orën 00:30.

Për këtë shkelje, në zbatim të ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari i subjektit, shtetasi S. R., 37 vjeç, u ndëshkua me masë administrative prej 200 000 lekësh të rinj.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, pronari i subjektit dhe 5 shtetas të tjerë, mes tyre edhe 35-vjeçari i punësuar si muzikant në këtë subjekt, u proceduan penalisht, pasi kishin prishur qetësinë publike dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndërprerë aktivitetin me muzikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Policia e Shtetit apelon sërish ndaj pronarëve dhe administratorëve të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, të respektojnë kriteret ligjore lidhur me orarin e zhvillimit të këtyre aktiviteteve dhe nivelin e zhurmës që gjenerohet prej tyre.

ME TE LEXUARAT