Sulm me thikë mes shqiptarëve në Itali, arrestohet autori 43-vjeçar

Një 43-vjeçar shqiptar është arrestuar në kufirin Ventimiglia, ndërsa po përpiqej të hynte sërish në Itali nga Franca, pas disa ditësh në arrati. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje, pas një sulmi me thikë ndaj një bashkëkombasi, që ndodhi në parkingun e qendrës tregtare “Gran Reno” në Casalecchio.
Ngjarja ka ndodhur pas një debati të ashpër mes dy burrave, thuhet për motive xhelozie, për shkak të një gruaje shqiptare. Autori dyshohet se goditi me thikë një 29-vjeçar shqiptar, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spital me një prognozë 30-ditore, pa përjashtuar komplikimet.
Pas sulmit, 43-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga karabinierët e kompanisë Borgo Panigale, ndërsa ekzistonte dyshimi se mund të largohej nga vendi – gjë që ndodhi, pasi ai kaloi në Francë. U ndalua nga autoritetet në Ventimiglia, në përpjekje për t’u rikthyer në Itali.
Prokuroria e Bolonjës kishte lëshuar një urdhër arresti për të, me akuza të rënda: tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pasi mjeti i krimit ishte një thikë e padeklaruar. I dyshuari pritet të merret në pyetje në ditët në vijim, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.


