13 vite pas aksidentit, Mirjani në kërkim të autorit dhe dëmshpërblimit! Gishtin ia vë tezes…

Një aksident i rëndë në Greqi 13 vite më parë, një periudhë kome dhe humbja e kujtesës, por ende asnjë përgjigje për autorin e ngjarjes apo dëmshpërblimin e mundshëm.
Mirjani ka sjellë këtë të diel, më 25 tetor, në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, tezen e tij, Mozën, me të cilën kërkon të zbardhë çfarë ka ndodhur pas aksidentit.
Ai shprehet se nuk mban mend asgjë nga procedurat e kryera në atë kohë dhe dyshon se mund të jetë marrë një dëmshpërblim pa dijeninë e tij.
Nga ana tjetër, Moza i mohon akuzat, duke i cilësuar ato të padrejta, ndërsa përballja mes tyre nxjerr në pah pikëpyetjet që vijojnë ta shoqërojnë Mirjanin prej vitesh.
Mirjani: Atje ka qenë Tahirja dhe ajo është marrë me të gjithë procesin tim?
Ardit Gjebrea: Kur thua me të gjithë procesin, për çfarë e ke fjalën?
Mirjani: Nuk e di, nuk e di fare se çfarë ka bërë, çfarë kam firmosur!
Ardit Gjebrea: Është gjetur kush e ka bërë aksidentin?
Mirjani: Jo! Rruga ka qenë qorre atje, ka qenë pa kamera dhe pa drita.
Ardit Gjebrea: Nuk është zbuluar asnjëherë?
Mirjani: Asnjëherë!
Ardit Gjebrea: Që do të thotë ti ndonjë dëmshpërblim nuk ke marrë asnjëherë?
Mirjani: Nuk e di!
Eni Çobani: Dyshimi për çfarë të vjen?
Mirjani: Janë të shumë personat që më pyesin “sa lekë ke marrë”. Se për çfarë arsye unë nuk e di! Unë u kam thënë që nuk kam marrë asnjë lekë.
Moza: Zonja Eni, ky mua më akuzon me pa të drejtë.
Mirjani: Unë këtë e akuzon se mos ndoshta ka marrë ndonjë lekë ajo tezja, i kanë ngrënë bashkë dhe mbas 12 vjetësh thotë kjo “po iki unë, nuk të mbaj dot më”.
Moza: Zonja Eni nuk mundem dot më, ka dy vëllezër edhe unë kam burrë, kam familje.


