"Zien" Tirana/ Zv.kryeministrja Koçiu thirrje protestuesve: Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar

Zëvendës ministrja Albana Koçiu i ka bërë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje, qetësi dhe maturi, në një reagim të shpërndarë nga Kryeministria pasditen e sotme.
Thirrja e Koçiut vjen teksa protestuesit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale te Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Kryeministria, Kryesia e Kuvendit si dhe disa biznese private te “Piramida”.
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar”, shprehet ajo.
Reagimi i plotë i Koçiut:
Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.
Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.
Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.
Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur.


