“Ua vesha me gurë, u acarova nga lotsjellësi”, Klevi Metaj rrëfen përplasjen me gjashtë policët

Aktualitet

“Ua vesha me gurë, u acarova nga lotsjellësi”, Klevi Metaj
Nga shtrati i Spitalit të Traumës, me pranga në duar dhe nën vëzhdimin e dy efektivëve, 22-vjeçari Klevi Metaj ka rrëfyer përplasjen me 6 policë gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. Për “Fiks Fare” ai ka treguar se gjithçka ka nisur pasi efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe, i acaruar nga situata, reagoi duke hedhur gurë në drejtim të tyre.

“Isha larg në fillim dhe po mbështesja njerëzit. Ndërhynë ata me gurë, me lotsjellës e kështu. U shpërhapën njerëzit. Kur erdhi polici me skafandër, shikoj që kisha ngelur vetëm unë aty. Ua vesha me gurë, me të tëra unë. Se u acarova që më hodhën atë lotsjellësin”, tregon ai.

Metaj pretendon se teksa po largohej drejt sheshit, një efektiv e ndoqi dhe e goditi fillimisht në këmbë, e më pas në shpinë me shkop. “Më vjen e më gjuan nga këmbët me shkop. ‘Mos gjuaj’, i them unë. Vazhdova të ikja. Ai më keq pastaj, më gjuan në kurriz. U acarova, ua vesha një”, rrëfen 22-vjeçari, i cili pranon se u përfshi në përplasjen me policinë.

Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por ai vijon të qëndrojë në spital, ku ruhet nga dy punonjës policie. Gjatë intervistës, Metaj tregon edhe dokumente që, sipas tij, i përkasin dosjes së Prokurorisë së Tiranës dhe kundërshton numrin e akuzave të ngritura ndaj tij.

“Nuk zgjidhet në këtë lloj mënyre. Janë gjëra të ndërlikuara. Këtu i ke të tërë të korruptuar dhe nuk zgjidhet me protestë. Protesta është të thuash që shiko, se nuk bëni dot si të doni. Nuk zgjidhet në këtë lloj mënyre. Janë gjëra të ndërlikuara. Këta po ta kishim inat të gjatin (i referohet kryeministrit), s’kishin pse ta votonin fare. Dhe se lëshon më atë grusht ai. Këtu i ke të tërë të korruptuar dhe nuk zgjidhet me protestë. Protesta është të thuash që shiko se nuk bëni dot si të doni”, shprehet ai, duke kritikuar edhe dhunën gjatë tubimit.

I riu thotë se duhet të ketë një qëllim konkret dhe ngre dyshime për ndikimin e politikës në protestë. Ai pretendon gjithashtu se efektivët i kanë thënë se rrezikon deri në pesë vite burg, ndërsa e cilëson të tepruar trajtimin që po i bëhet në spital.

Klevi Metaj u bë viral në rrjet pas përplasjes së tij me 6 efektivë policie, duke u përleshur i vetëm me të gjithë ata. 

ME TE LEXUARAT