Incidente mes protestuesve, një person i shtrirë në tokë para Kryeministrisë (VIDEO)

Kanë nisur përplasjet dhe tensione e para mes protestuesve dhe policisë para Kryeministrisë, pasi një person është parë i shtrirë në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa personi i shtrirë dyshohet të jetë i njëjti qytetar që sot është parë duke qëndruar në karriget e vendosur për “dialog” nga kryeministri.
Qytetarët janë parë të shqetësuar duke iu afruar pranë personit të shtrirë në bulevard, ndërsa disa persona janë parë duke e tërhequr zvarrë këtë të fundit, pasi ai refuzonte që të lironte rrugën. Qytetari i shtrirë është zhvendosur duke qëndruar i shtrirë me bark në shkallët e Kryeministrisë, ndërsa protestuesit e kanë cilësuar veprimin e qytetarit si provokim.
“Ky është provokim, pse ulet ai në mes të bulevardit nga hiçi”, është shprehur një protestues për mediat.
Ndërkohë nga ana tjetër, disa qytetarë janë parë duke djegur karriget e nxjerra ditën e sotme nga kryeministri për “dialog”, duke lënë të nënkuptohet se për të gjashtën ditë radhazi protestuesit kanë refuzuar të ulen në tryezë me kreun e qeverisë shqiptare.


