Inteligjenca Artificiale trondit tregun e medias në Britani të Madhe, shkurtohen mbi 220 vende pune

Inteligjenca Artificiale po ndikon gjithnjë e më shumë në industrinë e medias, ndërsa një prej grupeve më të mëdha mediatike në Britani ka njoftuar një ristrukturim që do të prekë qindra vende pune.
Reach, grupi që zotëron gazetat “Daily Mirror” dhe “Daily Express”, planifikon të shkurtojë rreth 220 vende pune në redaksi. Në të njëjtën kohë, kompania pritet të hapë rreth 60 pozita të reja, kryesisht në sektorët e abonimeve dhe prodhimit të videove me format të gjatë. Rreth 65 vende pune pritet të reduktohen edhe në sektorin komercial.
Sipas “The Independent”, drejtori i përmbajtjes në Reach, David Higgerson, u ka bërë të ditur punonjësve se kompania po përballet me rënie të trafikut nga kërkimet në Google, si dhe me konkurrencë në rritje nga BBC.
Në kuadër të ristrukturimit, Reach do të mbyllë edhe tre platforma rajonale lajmesh: KentLive, AberdeenLive dhe GalwayBeo.
Masat do të prekin punonjës në gazetat e shtypura, platformat digjitale dhe sektorin e videove. Kompania pritet të nisë një proces konsultimi me stafin, i cili do të zgjasë të paktën 45 ditë.
Reach është një prej grupeve më të mëdha komerciale të medias në Britani dhe zotëron, përveç “Daily Mirror” dhe “Daily Express”, edhe “Daily Star”, “Manchester Evening News” dhe “Liverpool Echo”.
Ristrukturimi vjen në një kohë kur mediat tradicionale po përballen me rënie të lexueshmërisë së gazetave të printuara dhe ndryshime në mënyrën se si audienca konsumon lajmet online. Një faktor tjetër është përhapja e përmbledhjeve të lajmeve të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat mund të ulin nevojën e përdoruesve për të vizituar drejtpërdrejt faqet e mediave.


