41 kg kokainë në Durrës, fijet të çojnë në Belgjikë/ Kush është shqiptari që lidhte grupet me Amerikën Latine?

Aktualitet

41 kg kokainë në Durrës, fijet të çojnë në

Arben U. dyshohet se lidhte grupet shqiptare me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine dhe rrjete në Europë e Australi. Hetimi belg çoi edhe te ngarkesa nga Brazili e kapur në Durrës; 4 persona dyshohet se prisnin drogën në Shqipëri. Në përgjime doli edhe emri i Gerd Gjinararit
Detaje të reja kanë dalë nga Belgjika për hetimin ndërkombëtar të trafikut të kokainës, fijet e të cilit çuan edhe në Shqipëri, te sekuestrimi i 41 kilogramëve e 350 gramëve drogë në Portin e Durrësit.

Media belge HLN raporton se në qendër të hetimit është 48-vjeçari shqiptar Arben U., me banim në Berchem të Antwerpit, i cili dyshohet se shërbente si ndërmjetës mes grupeve të ndryshme të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Sipas medias belge, hetimi nisi rreth një vit më parë, pasi Policia Federale Gjyqësore mori informacione se në apartamentin e Arben U. mund të ruheshin sasi të mëdha kokaine. Hetuesit vendosën pajisje përgjimi në banesë dhe për muaj me radhë monitoruan bisedat që zhvilloheshin aty.

Përgjimet, sipas HLN, zbuluan se kontaktet e 48-vjeçarit shtriheshin përtej Belgjikës. Ai dyshohet se komunikonte me grupe në Shqipëri dhe Amerikën Latine për importimin e kokainës, ndërsa kishte kontakte edhe me grupe të trafikut në vende të tjera të Europës dhe deri në Australi.

Prokuroria e Antwerpit, e cituar nga media belge, thotë se Arben U. dyshohet se kishte rolin e një ndërmjetësi. Ai koordinonte, sipas dyshimeve të hetuesve, aktorë të ndryshëm që merreshin me dërgimin e kokainës, nxjerrjen e saj nga porti dhe shpërndarjen e mëtejshme.

Sipas HLN, 48-vjeçari dyshohet gjithashtu se ofronte metoda të ndryshme për kontrabandimin e drogës dhe se mund të siguronte persona që ndihmonin në nxjerrjen e ngarkesave nga porti.

Hetimi në Belgjikë çoi në interceptimin e dy ngarkesave me përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë kokainë, por një prej gjurmëve të zbuluara nga hetuesit belgë mbërriti deri në Shqipëri.

HLN raporton se informacionet e mbledhura nga hetimi belg iu përcollën autoriteteve shqiptare dhe çuan në zbulimin e një ngarkese prej rreth 41 kilogramësh kokainë në Portin e Durrësit.

Bëhet fjalë për ngarkesën e mbërritur nga Brazili në një kontejner frigoriferik me mish pule. Në operacionin e zhvilluar në Shqipëri u sekuestruan 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, të ndarë në 37 pako.

Kontejneri ishte mbajtur nën vëzhgim për gjashtë ditë, ndërsa hetuesit shqiptarë kishin marrë të dhëna të detajuara për identifikimin e tij. Katër persona janë identifikuar si të dyshuar se prisnin marrjen e ngarkesës pas daljes së saj nga porti.

Ndërkohë, hetimi belg përfundoi në një operacion me kontrolle në Antwerp, Berchem, Deurne, Kapellen dhe në zonën e Brukselit, ku u arrestuan tetë persona.

Mes tyre ishte edhe Arben U. Sipas HLN, katër prej të dyshuarve dolën para Dhomës së Këshillit, ndërsa dy shtetas shqiptarë u lanë në paraburgim. Arben U. dhe një tjetër i dyshuar kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të masës së tyre.

Një tjetër emër që del nga hetimi është ai i Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”.

Media belge shkruan se gjatë përgjimeve hetuesit konstatuan se Arben U. kishte kontakte me Gjinararin, i cili u arrestua në Antwerp në qershor pas vitesh në kërkim.

Gjinarari është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane për krime të kryera në Itali, mes të cilave vrasja e Naim Zyberit në një spital të Milanos në vitin 1997.

Megjithatë, HLN bën një dallim të rëndësishëm: Gjinarari nuk është i dyshuar në hetimin aktual për trafikun e kokainës. Emri i tij ka dalë në dosje për shkak të kontakteve të konstatuara me Arben U., por deri tani nuk është bërë publik ndonjë dyshim se ai ka qenë i përfshirë në ngarkesat konkrete të drogës që po hetohen.

Hetimi belg hedh kështu dritë edhe mbi prapaskenën e kokainës së sekuestruar në Durrës. Ngarkesa prej 41.35 kilogramësh që udhëtoi nga Brazili drejt Shqipërisë nuk u zbulua rastësisht, por pas informacioneve të siguruara gjatë një hetimi disamujor në Belgjikë, ku përgjimet ndaj një shqiptari të dyshuar si ndërmjetës nxorën në pah kontakte që shtriheshin nga Amerika Latine deri në Shqipëri, Europë dhe Australi.

ME TE LEXUARAT