"Të mos bllokohet drejtësia!" / GJKKO alarmon Qeverinë dhe Kuvendin për bojkotin e avokatëve, propozon ndryshime ligjore

Gjykata e Posaçme i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar ndërhyrje ligjore për të parandaluar zvarritjen e proceseve gjyqësore nga bojkotet kolektive të avokatëve. Në kërkesë propozohet edhe përfaqësimi i magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkon ndryshime ligjore për të garantuar vijimësinë e proceseve gjyqësore dhe mbrojtjen efektive të individëve, në kushtet kur bojkotet e avokatëve pengojnë zhvillimin e seancave.
Përmes një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), GJKKO kërkon që nevoja për ndërhyrje ligjore t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Gjykata propozon ndërhyrje në dy drejtime kryesore. Së pari, kërkon përcaktimin e rregullave të qarta ligjore për të parandaluar ndërprerjen e proceseve gjyqësore për shkak të mosparaqitjes kolektive të avokatëve, duke garantuar përmbushjen e detyrimeve të mbrojtjes, vijimësinë e gjykimeve dhe respektimin e të drejtave të individit.
Së dyti, GJKKO propozon përfaqësimin e magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë, mbi bazën e parimit të paritetit dhe reciprocitetit institucional.
Sipas gjykatës, ndërsa avokatia përfaqësohet në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë përfaqësim në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë. Kjo, sipas saj, pavarësisht se vendimmarrja e këtyre organeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e gjykimeve dhe garantimin e mbrojtjes së detyrueshme.
Në kërkesën drejtuar KLGJ-së, Gjykata e Posaçme thekson se e drejta e protestës është një liri themelore, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e të tjerëve.
Sipas argumentimit të gjykatës, thirrja për protestë kolektive drejtuar avokatëve nuk përbën grevë në kuptimin e legjislacionit të punës dhe nuk pezullon detyrimet profesionale ndaj klientëve dhe gjykatës. Pjesëmarrja në protestë, sipas saj, mbetet një zgjedhje e lirë dhe individuale, ndërsa liria për të protestuar përfshin edhe lirinë për të mos marrë pjesë.
GJKKO vlerëson se mosparaqitja kolektive e avokatëve në seancat gjyqësore, kur bie ndesh me detyrimet profesionale dhe pengon garantimin e të drejtave të individit, nuk pajtohet me kërkesat e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit në rrethanat konkrete. Gjykata e vë theksin veçanërisht te procedurat që lidhen me lirinë personale.
Në të njëjtën kohë, ajo sqaron se ky vlerësim lidhet me mënyrën e ushtrimit të protestës dhe pasojat e saj, pa cenuar të drejtën e avokatëve për të shprehur kundërshtimin përmes formave të tjera të ligjshme.
Në relacionin shoqërues, GJKKO i referohet jurisprudencës kushtetuese, sipas së cilës Dhoma e Avokatisë është një organizatë profesionale që qeveriset nga e drejta publike, ndërsa profesioni i avokatit kontribuon në realizimin e një qëllimi publik dhe në administrimin e drejtësisë.
Për këtë arsye, sipas gjykatës, ushtrimi i të drejtave kolektive duhet të harmonizohet me përgjegjësitë profesionale dhe garantimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes.
Në argumentimin e saj, GJKKO sjell në vëmendje edhe ndalimin ligjor të grevës për magjistratët dhe kufizimet e parashikuara për administratën e sistemit të drejtësisë. Ndonëse këto ndalime nuk zbatohen drejtpërdrejt ndaj avokatëve, gjykata i konsideron ato tregues të rëndësisë që ligjvënësi i ka dhënë funksionimit të pandërprerë të drejtësisë si shërbim publik thelbësor.
GJKKO thekson se ka marrë dhe do të vijojë të marrë masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për të garantuar mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e gjykimeve brenda një afati të arsyeshëm.
Megjithatë, sipas saj, krahas masave ekzistuese, nevojiten garanci më të qarta ligjore për të parandaluar përsëritjen e situatave që mund të pengojnë funksionimin e drejtësisë dhe të cenojnë të drejtat procedurale të individëve.
Kërkesa e Gjykatës së Posaçme shoqërohet me një relacion analitik, ku shqyrtohen legjislacioni shqiptar, jurisprudenca vendase dhe ndërkombëtare, si dhe praktikat krahasuese në mbështetje të ndërhyrjeve të propozuara.


