“T’i lëmë mënjanë ngjyrat e partive”, zv kryeministrja reagon sërish: E shqetësuar për sigurinë e fëmijëve tanë

Albana Koçiu ka reaguar sërish për kaosin në të cilin gjendet kryeqyteti, teksa përmes një postimi në kanalin zyrtar në facebook, shpreh shqetësimin për protestat e dhunshme. Zv kryeministrja thotë se në këtë moment ngjyrat e partive nuk kanë rëndësi, por duhet vëmendje e madhe për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijve.
Koçiu thekson se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por asnjë nuk duhet të përfshihet në dhunë, apo më e keqja politika t’i përdorë për qëllimet e veta. Në fund e mbyll duke thënë se asgjë më shumë se jeta nuk ka vlerë.
“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike.
Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, shkruan Koçiu.

