Stuhia godet Azinë Lindore, erëra mbi 227 km/h, alarmohen Tajvani dhe Japonia

Tajvani ka shpallur paralajmërimin për afrimin e tajfunit Çampi, i cili shoqërohet me erëra që tejkalojnë 227 kilometra në orë. Autoritetet paralajmërojnë për dallgë të larta, reshje të dendura dhe kushte të rrezikshme atmosferike, ndërsa janë anuluar qindra fluturime në Tajvan dhe Japoni. Stuhia pritet të ndikojë edhe në stërvitjen e përbashkët ushtarake SHBA-Japoni.
Tajvani është në gatishmëri për afrimin e tajfunit Champi, i cili, pavarësisht dobësimit të lehtë, vijon të shoqërohet me erëra që tejkalojnë 227 kilometra në orë.
Sipas Administratës Qendrore të Motit, stuhia ndodhej rreth 520 kilometra në juglindje të skajit jugor të ishullit. Parashikimet tregojnë se ajo do të kalojë në verilindje të Tajvanit, përpara se të drejtohet drejt bregdetit kinez dhe Japonisë jugore.
Autoritetet kanë paralajmëruar për dallgë që mund të kalojnë gjashtë metra në zonat bregdetare dhe reshje të dendura në rajonet malore veriore, përfshirë zonat përreth Taipeit. Presidenti tajvanez, Lai Ching-te, u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa paraprake dhe të shmangin zonat malore e bregdetare.
Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transportin ajror. Ministria e Transportit e Tajvanit njoftoi anulimin e 125 fluturimeve, kryesisht të brendshme. Deri tani, nuk raportohen ndërprerje në transportin hekurudhor apo evakuime të banorëve.
Edhe Japonia po përballet me pasojat e afrimit të tajfunit. Kompanitë ajrore Japan Airlines, ANA dhe Skymark kanë anuluar mbi 100 fluturime, duke prekur udhëtimet e më shumë se 11 mijë pasagjerëve. Champi pritet të kalojë pranë ishullit Yonaguni, në prefekturën Okinawa.
Ndërkohë, stuhia ka detyruar edhe përshtatjen e stërvitjes së përbashkët ushtarake SHBA-Japoni, të njohur si Keen Sword. Në aktivitet marrin pjesë rreth 56 mijë efektivë japonezë dhe amerikanë, si dhe forca nga pesë vende të tjera, përfshirë Australinë dhe Filipinet.
Ushtria amerikane bëri të ditur se aktivitetet po përshtaten çdo ditë për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë zhvillimin e tajfunit dhe rrezikun për rajonin.


