Shqipëria nis sot rrugëtimin drejt Botërorit, ja formacioni kundër Andorrës

Sport

Shqipëria nis sot rrugëtimin drejt Botërorit, ja formacioni

Në orën 20:45, lojtarët e kombëtares Shqiptare do të nisin rrugëtimin drejt botërorit të Katarit 2022. Shqipëria do luajë kundër Andorrës, ndërsa Edy Reja ka zbuluar formacionin. Italiani që drejton kuqezinjtë ka menduar edhe për formacionin që do të zbresë në fushë sonte. “Nuk bëj eksperimente”, tha Reja në konferencë. Në portë pritet kapiteni Etrit Berisha, pasi Thomas Strakosha prej kohësh po vuan te Lazio dëmtimet dhe mos aktivizimin.

Mbrojtja do të jetë e gjitha nga Serie A, pasi në treshen e qendrës parashikohet të jenë Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla. Elseid Hysaj është padron i krahut të djathtë, kurse në të majtë favorit është Ermir Lenjani. Ky i fundit varet nga partneri i Sokol Cikalleshit në sulm. Myrto Uzuni ka shumë shanse të luajë krah kavajasit. Opsion është edhe Manaj. Nëse zgjidhet sulmuesi i Barcelona B, atëherë beratasi mund të marrë vendin e Lenjanit.

Sa i takon mesfushës, Ledian Memushaj preferohet sërish nga Reja. Vlonjati shton fantazinë, që është e nevojshme ndaj një ekipi si Andorra, kurse kilometrat pritet të garantohen nga Klaus Gjasula dhe Keidi Bare.

ANDORRA-SHQIPËRI, ORA 20:45/ Formacioni i mundshëm i kuqezinjve (3-5-2): Berisha – Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla – Hysaj, Bare, Gjasula, Memushaj, Lenjani – Cikalleshi, Uzuni. Trajner: Edy Reja

ME TE LEXUARAT