Ndeshja e parë sukses, trajneri Reja ofendon Andorrën: Ky nuk është futboll

Shqipëria mbrëmë i rrëmbeu tre pikëshin Andorrës, duke e nisur mbarë rrugëtimin drejt Botërorit të Katarit 2022. Pas ndeshjes, trajneri i kombëtares Edy Reja dha një deklaratë për mediat, duke “ofenduar” skuadrën kundërshtare për lojën që bënë, sidomos në pjesën e dytë.
“Ishte e rëndësishme të merrnim tre pikët në një fushë kaq të vështirë. U paraqitëm mirë në pjesën e parë, kurse në pjesën e dytë patëm vështirësi në fillim dhe vuajtëm pak. Më pas ata nisën të mbylleshin dhe të bënin shumë faulle. Ky nuk është futboll. Patëm vështirësi të mëdha për të luajtur me topin në tokë, por ajo që ka rëndësi është që sollëm në shtëpi tre pikët.
Sigurisht duhet të përmirësohemi me pjesën teknike, në lojë. Pasi shënuam kishim pak raste. Gjuajtëm pak herë në portë në pjesën e dytë dhe mund të bënim më shumë në këtë drejtim. Nuk bëmë një ndeshje shumë të mirë në pjesën e dytë, por më kënaq e para. Mendoja se do luanim edhe në të dytën njëlloj, por vuajtëm shumë në pjesën e lojës prej agresivitetit të tyre.
Këto janë ndeshje ku duhet një përqendrim shumë i madh, duhet bërë një ndeshje me intensitet të lartë që t’i heqësh iniciativën kundërshtarit dhe t’i vësh në vështirësi, siç bënë ata me ne duke bërë presing në të gjithë fushën.
Gjyqtari është një debutues dhe duhet ta ndihmojmë nga pak, por kur ka debutime kanë frikë mos u ikën ndeshje nga duart. Ne trajnerët dhe lojtarët duhet t’i ndihmojmë, t’u japim sa më shumë pozitivitet gjatë lojës”, përfundoi Reja.


