Merret vendimi, Kylian Mbappe dënohet me 60 mijë euro, zbulohet arsyeja

Sport

Merret vendimi, Kylian Mbappe dënohet me 60 mijë euro, zbulohet
Përplasja mes Kylian Mbappé dhe Paris Saint-Germain vazhdon të prodhojë zhvillime edhe pas largimit të yllit francez drejt Real Madridit.

Këtë herë, gjykata i ka dhënë një goditje sulmuesit të “Los Blancos”, duke e urdhëruar të paguajë 60 mijë euro dëmshpërblim ndaj ish-klubit të tij. Sipas “L’Équipe”, Gjykata e Apelit në Paris ka vendosur që Mbappé t’i paguajë PSG-së këtë shumë për masat e sekuestrimit të përkohshëm të vendosura mbi llogaritë bankare të klubit gjatë vitit 2025.

Pas transferimit te Real Madrid në gusht të vitit 2024, Mbappé kërkoi rreth 60 milionë euro nga PSG, duke pretenduar se klubi francez nuk i kishte paguar disa bonuse dhe detyrime financiare.

Në kuadër të kësaj përplasjeje, avokatët e futbollistit kërkuan vendosjen e masave të sigurimit mbi llogaritë bankare të PSG-së.

Këto masa kufizuan përkohësisht aksesin e klubit në një pjesë të fondeve të tij, ndërsa PSG i kundërshtoi, duke argumentuar se ishin të pajustifikuara. Sekuestrimet u hoqën më pas në muajin maj, ndërsa çështja vijoi në gjykatë.

Tashmë, Gjykata e Apelit në Paris ka vendosur kompensimin prej 60 mijë eurosh në favor të PSG-së.

Megjithatë, klubi francez nuk ka arritur të fitojë një tjetër pjesë të kërkesës. PSG kishte pretenduar se masat i kishin shkaktuar dëm moral dhe kishin cenuar imazhin e reputacionin e klubit, duke kërkuar simbolikisht edhe një euro dëmshpërblim për këtë pjesë.

Gjykata i ka rrëzuar këto pretendime. Vendimi është vetëm një tjetër kapitull në betejën ligjore mes Mbappé dhe ish-klubit të tij.

Në dhjetor 2025, PSG u urdhërua t’i paguante futbollistit plot 61 milionë euro, në një prej përplasjeve më të bujshme financiare mes një futbollisti dhe klubi të tij të mëparshëm.

ME TE LEXUARAT