Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot jepet vendimi ne Hagë, kushëriri: Nëse dënohet, s'do t'ia tregojmë

Kosovë&Rajon

Nëna e Hashim Thaçit nuk e di se sot jepet vendimi ne Hagë,
Në Burojë, vendlindjen e Hashim Thaçit, familjarët e ish-presidentit po e presin me ankth vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Nëna e tij, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të shpallet vendimi për djalin e saj dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

Kushëriri i Hashim Thaçit, Halimi, ka treguar se familja ka vendosur të mos ia bëjë të ditur vendimin, në varësi të rezultatit, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

“Nuk është e dijshme. Nuk është e dijshme, nuk i kanë treguar. E nëse na gëzon Zoti, atëherë do t’ia lajmërojmë edhe do të vijmë me u gëzuar. E vallahi, nëse dënohet, nuk mundemi me i treguar kurrë gjë”, është shprehur ai.

Halimi tha se gjatë viteve të mungesës së Hashim Thaçit, familja dhe njerëzit e afërt kanë përjetuar dhimbje të madhe, ndërsa sot presin që ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.

“Po presim që sa më parë të lirohet. Shumë mungesë kena pasë për Hashimin, si për prindër, si për shoqëri, si për krejt Kosovën”, tha kushëriri i ish-presidentit.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së ka nisur sot në orën 10:00 në Gjykatën Speciale në Hagë.

ME TE LEXUARAT