U diagnostikua me Ethet e Nilit në Korçë/ ISHP: I moshuari u infektua nga mushkonjat në vend

Virusi i Nilit Perëndimor nuk transmetohet nga njeriu te njeriu dhe jo të gjitha mushkonjat e transmetojnë sëmundjen. Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se deri më tani në Shqipëri është diagnostikuar vetëm një rast me ethet e Nilit.
Bëhet fjalë për një person të moshuar, i cili po trajtohet në spitalin e Korçës. Sipas ISHP-së, gjendja shëndetësore e pacientit është e qëndrueshme.
Ekspertët shpjegojnë se rreth 80% e personave të infektuar me virusin nuk shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen simptoma të lehta. Një pjesë e pacientëve mund të kalojnë në forma më të rënda të sëmundjes, të cilat mund të shoqërohen me temperaturë të lartë dhe prekjen e trurit.
“Bëjnë forma të rënda ata me imunitet të ulët, ata që kanë kryer ndërhyrje të veshkave, transplante”, shprehet Vasili.
Ekspertët theksojnë se mushkonja që transmeton ethet e Nilit është e pranishme edhe në vendin tonë.
Në rast se shfaqen simptoma të rënda, këshillohet kërkimi i menjëhershëm i kujdesit mjekësor, veçanërisht nëse një person ka temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, dhimbje të forta koke, konfuzion, dridhje ose dobësi të papritur të muskujve.
Për parandalimin e përhapjes së mushkonjave, ekspertët këshillojnë që të mos mbahen enë me ujë të ndenjur në oborre apo kopshte, pasi ato mund të shërbejnë si vende grumbullimi dhe shumimi të mushkonjave.


