BE-ja e bllokoi/ AKU sqaron rregullat e reja: Mishi nga Brazili lejohet në Shqipëri vetëm me...

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit nga Brazili do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar. Ky vendim zbatohet vetëm për ngarkesat ku certifikata veterinare është lëshuar para datës 3 shtator 2026, edhe nëse dërgesat mbërrijnë në Shqipëri pas këtij afati.
Sqarimi vjen pas ndryshimeve në rregullat e Bashkimit Evropian, të cilat e hoqën Brazilin nga lista e vendeve të autorizuara për eksportin e këtyre produkteve shtazore. Komisioni Evropian ka specifikuar se kufizimet e reja nuk do të zbatohen me efekt prapaprapë për eksportet e miratuara përpara kësaj date.
Për rrjedhojë, të gjitha ngarkesat e pajisura me dokumentacionin e duhur përpara afatit do të lejohen të hyjnë rregullisht në tregun vendas. AKU garanton se do të vijojë monitorimin strikt në kufi për të siguruar mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurinë ushqimore.
Njoftimi i AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405, bën me dije se Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Gjithashtu, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.
Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, bëjmë me dije se më 28 maj 2026, në Bruksel, është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, gjatë të cilit përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se këto ngarkesa mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.


