Trendi retro që rikthehet fuqishëm këtë vjeshtë/ “Xhinset e gjysheve” pushtojnë modën

Soft

Trendi retro që rikthehet fuqishëm këtë vjeshtë/

Edhe pse vjeshta ende nuk ka ardhur, tendencat e sezonit të ardhshëm kanë nisur të bëhen të dukshme. Një prej tyre është rikthimi i “xhinseve të gjysheve”, një model me frymë retro që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e adhurueseve të modës.

Pavarësisht emrit, këto xhinse nuk kanë aspak pamje të vjetruar. Përkundrazi, modeli kombinon rehatinë me elegancën dhe sjell një interpretim modern të stilit të viteve ’80.

Karakteristika kryesore është beli i lartë, i shoqëruar me një prerje më të lirshme në pjesën e ijëve dhe kofshëve dhe këmbë relativisht të drejta. Ky kombinim krijon një siluetë të zgjatur, duke theksuar belin pa e bërë veshjen tepër të ngushtë.

Pas suksesit të modeleve “baggy”, “barrel” dhe “mom jeans”, “xhinset e gjysheve” duket se janë gati të bëhen një prej zgjedhjeve më të kërkuara të sezonit të ri.

Një prej avantazheve të tyre është pikërisht ekuilibri mes xhinseve të ngushta dhe modeleve shumë të gjera. Prerja e relaksuar ofron rehati, ndërsa beli i lartë i jep veshjes një pamje më të strukturuar dhe elegante.

Për sezonin e vjeshtës pritet të dominojnë veçanërisht modelet me efekt të larë dhe nuanca më të çelëta të xhinsit. Ato mund të kombinohen lehtësisht me pjesë të ndryshme të garderobës, duke i bërë një zgjedhje praktike për përditshmërinë.

Si t’i kombinoni?
Për një pamje boho, xhinset mund të vishen me bluza romantike, këmisha me qëndisje, dantella apo detaje transparente.

Nëse dëshironi një stil më elegant, mund t’i kombinoni me një bluzë me rripa, një rrip të hollë dhe sandale ose këpucë me taka.

Për një pamje të përditshme dhe minimaliste, një bluzë e bardhë, një xhaketë dhe balerina janë një zgjedhje e sigurt. Ndërsa një këmishë e lirshme, pulovër dhe mokasina mund të krijojnë një kombinim komod, por njëkohësisht elegant.

Me rikthimin e vazhdueshëm të tendencave vintage, “xhinset e gjysheve” dëshmojnë edhe një herë se moda e së kaluarës mund të marrë jetë të re përmes një interpretimi modern.

ME TE LEXUARAT