“Pamje tronditëse” / Momenti i shembjes së akullnajës në Himalaje që solli përmbytje, vijojnë operacionet e shpëtimit

Bota

“Pamje tronditëse” / Momenti i shembjes së akullnajës

Pamje dramatike nga Himalajet kanë zbuluar pasojat shkatërruese të shembjes së një akullnajeje, fenomen që dyshohet se ka luajtur rol në përmbytjet masive që goditën zona të Nepalit dhe Tibetit.

Në videot e publikuara shihet një shpat i tërë malor i zhveshur nga akulli dhe i mbuluar me masa dheu, shkëmbinj dhe mbetje. Imazhet e mëparshme satelitore tregojnë se e njëjta zonë ishte e mbuluar nga akulli.

Katastrofa ka shkaktuar një bilanc tragjik. Sipas të dhënave të raportuara, qindra persona kanë humbur jetën, ndërsa 1,924 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes personave që ende nuk janë lokalizuar raportohet se ndodhen edhe turistë dhe pelegrinë të huaj.

Në zonat e prekura vijojnë operacionet intensive të kërkim-shpëtimit. Mijëra forca sigurie janë angazhuar në terren, ndërsa dronët po përdoren për të kontrolluar zonat ku ndërhyrja e ekipeve tokësore është tepër e rrezikshme.

Fshatra të tëra janë përmbytur dhe shkatërruar brenda pak minutash. Pas tërheqjes së ujërave, zonat e prekura janë mbuluar nga baltë dhe mbetje, duke lënë shumë banorë pa shtëpi.

Qindra të mbijetuar janë strehuar në qendra të përkohshme, ku po shpërndahen ushqime, pajisje mjekësore dhe ndihma humanitare.

Situata mbetet veçanërisht e rëndë për fëmijët. UNICEF ka deklaruar se rreth 17 mijë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë, ndërsa disa shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar.

Ndërkohë, të plagosurit, përfshirë banorë vendas, turistë dhe punëtorë të huaj, po evakuohen me helikopterë drejt spitaleve.

Operacionet vijojnë mes kushteve ekstreme, ndërsa ekipet e shpëtimit përballen me terren të paqëndrueshëm dhe rrezikun e përmbytjeve të tjera. Trupat e viktimave të gjetura po ruhen deri në përfundimin e identifikimit dhe njoftimin e familjarëve.

ME TE LEXUARAT