Si u braktis Apolonia, qyteti antik me 60 000 banorë

Soft

Si u braktis Apolonia, qyteti antik me 60 000 banorë

Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike.Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s.

Gërmadhat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të epokës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit, ruhen disa mbetje të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

Pas Dyrrahut, Apolonia ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri mes 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër në kohën antike. U ngrit mbi një kodër në një pozicion që zotëron gjithë zonën dhe nëpërmjet luginës së Vjosës, lidhej me detin Adriatik.

E shtrirë në një sipërfaqe rreth 140 ha dhe e rrethuar me një mur rreth 4 km të gjatë, Apolonia ishte një qendër e madhe tregtare dhe industriale. E ngritur në kurrizin e fundit të kodrave të bukura dhe frytdhënëse të Mallakastrës, Apolonia mbizotëronte pothuajse krejt hapësirën e gjerë që shtrihej në këmbët e saj e përfundonte buzë detit Adriatik.

Kjo fushë e formuar nga aluvionet e lumit Seman dhe Vjosë, ka qenë një nga rajonet më pjellore të Fushës së Myzeqesë.

Ndryshe nga qytetet-koloni që ishin ngritur buzë bregdetit, Apolonia ishte ngritur më në brendësi, disa kilometra larg bregdetit. Mirëpo, lidhej me bregdetin përmes lumit Vjosa, që në atë kohë ishte i lundrueshëm.

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit dhe u themelua si qytet, në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit, nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin, qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon.

Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë, ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si zonë ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë, një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë. Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për periudhën e antikitetit!

Si u braktis Apolonia, qyteti antik me 60 000 banorë

Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.

Qyteti i Apolonisë gëzoi të drejtën e qytetit të lirë dhe i mbrojtur, siç ia kishte dhënë dikur Oktavian Augusti, deri më vitin 213 të erës sonë. Po këtë vit (213) me ediktin e Karakallës, që i trajtonte njëjtë të gjitha qytetet dhe njerëzit e perandorisë, Apolonia e humbi pavarësinë e saj dhe u kthye në të njëjtat pozita si qytetet fqinje.

Në shek. III të erës sonë Apolonia fillon ta humbë edhe rëndësinë e saj ekonomike, këtë e dëshmojnë edhe monedhat e prera të kësaj kohe, të cilat paraqesin në shpinë të saj lumin Vjosa. Në këtë kohë Apolonia kishte marrë një goditje të fortë e si duket, ishte ndryshimi i shtratit të Vjosës që kishte ushqyer Apoloninë për 8 shekuj. Lumi kishte çarë në drejtim të fshatit Boçovë, rreth 6 km nga Apolonia ku ruhen edhe sot gjurmët e tij, me emrin e lumit të Sllanikut.

Në këtë mënyrë, qyteti mbeti pa port dhe pa lidhje me detin. Më 234 të erës sonë, një tërmet shkatërroi qytetet e bregdetit lindor të Adriatikut dhe pas kësaj, Apolonia filloi të braktisej. Tani, Vjosa po ushqente një tjetër qytet, Bylisin. Kriza e sistemit skllavopronar dhe shthurja e Perandorisë Romake bënë që qyteti të mos e merrte më veten. Ai ruan rendësinë si qendër peshkopale deri në shek V të erës së re. Në shek e VI, duhet të ketë qenë peshkopi personaliteti i fundit që e braktis Apoloninë, duke u vendosur edhe ai në Bylis.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion