Shteti 90 ditë naftë rezervë në rast krize! Faturë e re për importuesit, gjoba deri në 100 mln lekë e heqje licence

Soft

Shteti 90 ditë naftë rezervë në rast krize! Faturë e re

Shqipëria po përgatitet për të pasur rezervën e saj të naftës për ditët e vështira, e cila do të aktivizohet në kohë krizash, kur tregjet tronditen duke sjellë kufizime në importe e për pasojë çmime të larta karburanti për konsumatorët siç po ndodh edhe aktualisht.

Ndryshe nga tani, ku rezervën duhet ta mbajnë operatorët në depot e tyre magazinuese, projektligji i ri ‘rezervën e kalon në dorë të shtetit’.

“Rezervat e sigurisë dhe ato specifike duhet të jenë, në çdo kohë, fizikisht të disponueshme, të aksesueshme dhe kontrollueshme, për qëllimet e këtij ligji”, thuhet në nenin 5.

Autoriteti për Rezervën e Sigurisë që do të krijohet si një ent publik, do të ketë përgjegjësinë për krijimin e rezervës sa 90 ditë importe neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë së konsumit të brendshëm.

Sasitë e rezervës merren nga operatorët privat të cilët do të jenë përgjegjës për cilësinë e produktit, dhe njëkohësisht vetë privati mund të jetë edhe mbajtës të rezervës së sigurisë shtetërore nëse bën marrëveshje me Autoritetin që do të krijohet.

Por krijimi i rezervës shtetërore vjen me një faturë të re.

Në nenin 11 të projektligjit që pritet të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare, thuhet se fondet për krijimin, depozitimin, mirëmbajtjen, monitorimin e rezervave të sigurisë, do të sigurohen nga tarifa që do të paguhet nga operatorët ekonomik.

Do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë “shumën e tarifave mbi produktet energjetike hidrokarbure në lekë/litër ose lekë/kg, për çdo kategori të produkteve energjetike hidrokarbure, për mbulimin e kostos së mbajtjes së rezervës nga Autoriteti”.

Burime të tjera financimi do të jenë edhe kreditë që mund të merren, të ardhurat nga shitja e rezervave por edhe fonde të buxhetit të shtetit. Caktimi i një tarife tjetër mbi hidrokarburet është kritikuar nga ekspertët, pasi vlerësojnë se këtë tarifë bizneset do ta shkarkojnë në çmimin final që paguajnë qytetarët.

Projektligji parashikon edhe gjoba të larta e deri pezullim aktiviteti për të gjithë operatorët ekonomik që nuk respektojnë detyrimet. Në nenin 18 thuhet se 2 milionë lekë do të jetë gjoba për operatorët ekonomik nëse përdorin rezervat e detyrueshme në mënyrë të paautorizuar.

Ndëshkimi arrin 10 milionë lekë nëse rezerva e sigurisë nuk është në cilësinë dhe standardin e duhur, nuk lejon akses në magazinat depozituese apo nëse nuk paguan tarifën. Kur shkelja përsëritet ndaj operatorit ekonomik përveç gjobës, vendoset ndalim i përkohshëm i veprimtarive për depozitimin deri në 1 vit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion