Shkencëtarët e Harvard: Gratë mbi 28 vjeç më shpesh lindin fëmijë të së njëjtës gjini

Një studim i ri nga Harvard University vë në dyshim idenë klasike se gjinia e fëmijëve përcaktohet në mënyrë të barabartë mes djemve dhe vajzave (50/50). Analiza përfshiu të dhëna nga mbi 58 mijë nëna me të paktën dy fëmijë dhe nxori në pah një lidhje të fortë midis moshës së lindjes së fëmijës dhe gjinisë së tyre.
Sipas studimit të publikuar në Science Advances, mosha e nënës ka një rol kyç në përcaktimin e gjinisë së fëmijëve të saj. Gratë që lindin fëmijën e parë pas moshës 28-vjeçare kanë 43% më shumë gjasa të kenë fëmijë të të njëjtit seks, ndërsa ato që lindin para moshës 23-vjeçare kanë vetëm 34% mundësi për këtë.
Hulumtimi analizoi gjithashtu tetë faktorë të ndryshëm të nënës – nga gjatësia, ngjyra e flokëve, raca, grupi i gjakut, kronotipi e deri te mosha e ciklit menstrual të parë – por vetëm mosha e lindjes së fëmijës tregoi një lidhje të dukshme me gjininë e fëmijëve.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet fiziologjike që vijnë me moshën, si faza më e shkurtër folikulare dhe pehash vaginal më i ulët, mund të ndikojnë në këtë fenomen, megjithëse këto shpjegime mbeten preliminare dhe kërkojnë më shumë kërkime.
Ky zbulim sfidon bindjen e përhapur se seksi i foshnjes përcaktohet rastësisht dhe në mënyrë të barabartë, duke hapur rrugë për studime të reja mbi mekanizmat biologjikë që ndikojnë në këtë proces.


