‘Twerk’-u që theu tabu, Ronela Hajati: Pas kësaj mamaja s’më foli 6 muaj, por të paktën bëra lekë

Në edicionin festiv “25 vite Kënga Magjike”, Ronela Hajati nuk u kufizua vetëm te nostalgjia. Artistja zgjodhi të rrëfejë një nga momentet më polemizues të karrierës së saj: performancën ku twerk-u, guximi dhe muzika u kthyen në një deklaratë publike. Pas asaj nate, jo vetëm që mori vëmendje maksimale, por vendosi edhe të rrisë tarifat e koncerteve.
“Gjithçka ishte e planifikuar në detaj,” kujton Ronela. Nga tingujt e rinj që po shpërthenin në skenën ndërkombëtare, deri te koreografia dhe prapaskenat me balerinët që i shkelin flokët e gjatë në skenë – asgjë nuk ishte spontane. Ajo e dinte që do të gjykohej, por ishte e gatshme ta përballonte. “Thashë: e dreqosa, por do bëj lekë,” tregon me një dozë humori brutal që nuk ia zbeh bindjen në rrugën artistike që ka zgjedhur.
Reagimet ishin të forta. Publiku buçiste, rrjetet shpërthyen, por ndikimi më i thellë erdhi nga brenda shtëpisë. “Prindi im nuk më foli gjashtë muaj,” thotë ajo. “Tha: na more fytyrën, na ule kokën.” Por në retrospektivë, Ronela s’e quan një humbje, përkundrazi – ishte pikënisja e një tjetër etape, ku artisti e vendos vetë çmimin e lirisë së tij.
Performanca në fjalë nuk ishte vetëm për show. Ajo përfaqësonte një rrymë të re muzikore që sapo kishte nisur të dëgjohej në botë. Ronela e përjetoi si një kërkim të qëllimshëm për të çarë një drejtim ndryshe në tregun shqiptar. “I thashë Elgit Dodës: dua të bëj diçka që s’e ka bërë njeri. E dija që do më kryqëzonin, por le të mbahej,” kujton ajo.
E mbajtën. E komentuan. Por më e rëndësishmja – paguan më shumë për të. Dhe ajo e di mirë pse: “Publiku i ka qejf këto gjëra.”


