Rekord historik me naftën mbi 200 lekë/ Konsumi kap majat, 75 mijë tonë karburant u importuan vetëm në korrik

Soft

Rekord historik me naftën mbi 200 lekë/ Konsumi kap majat, 75

Shtrenjtësia nuk ka frenuar konsumin e karburanteve. Ndonëse në korrik çmimet kapën nivelin e 200 lekëve, sapo u hoq regjimi i kontrolluar nga Bordi i Transparencës, ky muaj ka regjistruar dhe nivelin më të lartë të importeve, me plot 75.779 tonë karburant, ose 4.800 tonë më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar (gati 6.9% rritje).

Ndikim në këtë rritje rekord ka dhënë edhe sezoni turistik, me një shtim të fluksit të vizitorëve të huaj, dhe rritje të përdorimit të automjeteve.

Në fakt, si periudhë 7-mujore, Ministria e Financave thotë se janë importuar më pak. Në total janë zhdoganuar 407.921 tonë karburant nga 416.120 tonë gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Rënia e konsumit u shënua në muajit prill dhe maj, kur edhe çmimi i naftës arriti në shifrat më të larta prej 233 lekë për litër.

Aktualisht, çmimet e karburanteve kanë kapur sërish kuota të larta. Përfituesi i vetëm, përveç kompanive të naftës, mbetet buxheti i shtetit. Shifrat e 7 mujorit tregojnë se të ardhurat nga TVSH-ja dhe akciza janë rritur me përkatësisht 10.1% dhe 3.9%.

Shtrenjtimi i karburanteve ka provokuar një efekt zinxhir dhe në çmimet e mallrave të tjerë. Inflacioni ka vijuar të rritet, duke regjistruar nivelin prej 3.4% në korrik, dhe pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë janë që edhe për 2027-ën te kemi nivel të lartë çmimesh.

ME TE LEXUARAT