Pas moshës 60 vjeç, a duhen shmangur buka dhe makaronat? Ja çfarë thonë ekspertët

Soft

Pas moshës 60 vjeç, a duhen shmangur buka dhe makaronat? Ja

Pas një moshe të caktuar, buka dhe makaronat shpesh shihen me dyshim, shkruan salute.it.

Buka mund të shkaktojë ndjesi fryrjeje, ndërsa makaronat mund të duken më të rënda për tretjen.

Kjo mund të krijojë përshtypjen se me kalimin e moshës organizmi nuk i toleron më si më parë.

Megjithatë, nuk ekziston një kufi biologjik në moshën 60 vjeç që e kthen bukën në “armik” të zorrëve. Po ashtu, nuk ka një mënyrë të vetme konsumimi që eliminon fryrjen tek të gjithë.

Reagimi është individual dhe varet nga sasia e ushqimit, mënyra e konsumimit dhe gjendja e sistemit tretës të secilit person.

Fryrja dhe barku i fryrë nuk janë e njëjta gjë

Kur një person thotë se “i është fryrë barku”, mund të përshkruajë dy gjendje të ndryshme.

E para është ndjesia e brendshme e mbushjes, tensionit ose presionit, e cila jo gjithmonë shoqërohet me ndryshim të dukshëm të barkut

E dyta është distensioni abdominal, pra rritja e dukshme e vëllimit të barkut.

Fakti që dikush ndihet i fryrë pas një pjate makarona nuk do të thotë automatikisht se ka krijuar sasi të tepërt gazrash dhe as se ka shtuar yndyrë trupore.

Fryrja mund të lidhet me sasinë e ushqimit, shpejtësinë e ngrënies, tretjen dhe faktorë të tjerë individualë.

Pse gruri shkakton shqetësime tek disa njerëz?

Një pjesë e shpjegimit lidhet me mënyrën se si zorra përpunon disa karbohidrate që gjenden në drithëra.Disa prej tyre nuk përthithen plotësisht në zorrën e hollë dhe arrijnë në zorrën e trashë, ku fermentohen nga bakteret dhe mund të prodhojnë gazra.

Për disa njerëz kjo shkakton fryrje të dukshme, ndërsa për të tjerë procesi kalon pa shqetësime.

Pra, problemi nuk është domosdoshmërisht vetë gruri, por mënyra se si organizmi i individit reagon ndaj disa karbohidrateve.

Në veçanti, tek personat me sindromën e zorrës së irrituar, shqetësimet pas konsumimit të bukës dhe makaronave mund të lidhen me fruktanet, një kategori karbohidratesh të fermentueshme, dhe jo domosdoshmërisht me glutenin.

Kjo është një dallim i rëndësishëm, pasi eliminimi i glutenit kur problemi shkaktohet nga një komponent tjetër mund të mos sjellë përmirësim dhe mund ta bëjë dietën më të kufizuar pa arsye.

Dieta me pak FODMAP mund të ndihmojë

Për personat me sindromën e zorrës së irrituar, një qasje dietike me përmbajtje të ulët të FODMAP-ve mund të ndihmojë në reduktimin e fryrjes dhe simptomave të tjera.

Por kjo dietë nuk është menduar të ndiqet në mënyrë të rreptë për një kohë të pakufizuar.

Pas një periudhe fillestare kufizimi, zakonisht pasojnë riintegrimi gradual i ushqimeve dhe personalizimi i dietës, në mënyrë që të identifikohen ushqimet që shkaktojnë realisht shqetësime.

Për këtë arsye, një dietë e tillë është më mirë të planifikohet me ndihmën e një dietologu, veçanërisht kur simptomat janë të vazhdueshme. 

ME TE LEXUARAT