Moody’s jep alarmin për tregun e pronave në Shqipëri/ Çmimet e banesave rrezikojnë stabilitetin financiar

Soft

Moody’s jep alarmin për tregun e pronave në Shqipëri/

Rritja e shpejtë e çmimeve të banesave dhe ekspozimi i bankave ndaj tregut të pasurive të paluajtshme po shndërrohen në një nga dobësitë që mund të cenojnë stabilitetin financiar në Shqipëri. Paralajmërimi vjen nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila e lidh rrezikun me mundësinë e një korrigjimi të fortë të tregut. Sipas të dhënave të cituara në raport, kreditë e lidhura me pasuritë e paluajtshme përbënin rreth 20% të aktiveve të sistemit bankar në tremujorin e tretë të vitit 2025.

Rritja e shpejtë e çmimeve të banesave dhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme po shndërrohen në një nga rreziqet që mund ta ekspozojnë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të papritura. Paralajmërimi vjen nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila evidenton tregun e pasurive të paluajtshme mes dobësive që mund të cenojnë stabilitetin financiar në rast të një korrigjimi të fortë. Kjo agjenci e lidh rrezikun jo vetëm me çmimet e pronave, por me ndërthurjen e tyre me sektorin financiar. Rëndësia e këtij rreziku bëhet më e qartë edhe te skenarët që Moody’s përcakton për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të Shqipërisë.

“Faktorët që mund të çojnë në uljen e vlerësimit ose në rikthimin e perspektivës në të qëndrueshme janë: Perspektiva mund të rikthehet në të qëndrueshme nëse rritja ekonomike ngadalësohet ndjeshëm, deficitet fiskale zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme, ose nëse rriten dobësitë e sektorit financiar, veçanërisht ato që burojnë nga tregu i pasurive të paluajtshme apo nga goditje të jashtme të papritura”, thuhet në raport.

Sipas Monitor, vlerësimi është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet kur tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme ka kaluar një cikël të gjatë rritjeje të çmimeve, i shoqëruar edhe me zgjerimin e kreditimit për blerjen e banesave. Rritja e ekspozimit të bankave ndaj tregut të pronave është bërë gjithnjë e më e dukshme. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka evidentuar më herët të njëjtën dobësi. Sipas FMN-së, që nga viti 2019 aktiviteti i ndërtimit dhe çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, ndërsa ekspozimi i bankave ndaj sektorit është zgjeruar.

Në tremujorin e tretë 2025, kreditë e lidhura me pasuritë e paluajtshme përbënin rreth 20% të aktiveve totale të sistemit bankar. Paralajmërimi për pasuritë e paluajtshme vjen në të njëjtin raport ku Moody’s dha një sinjal pozitiv për profilin e përgjithshëm të vendit, teksa pritet që borxhi publik të ulet nga 52.9% e PBB-së në fund të 2025 në 50.2% në 2027, ndërsa deficiti i llogarisë korrente, që ra në minimumin historik prej 0.7% të PBB-së në 2025, pritet të mbetet pranë 1% në vitet 2026–2027. Agjencia parashikon gjithashtu rritje ekonomike prej 3.6% në 2026 dhe 3.5% në 2027, por në të njëjtën kohë evidenton se nevojat relativisht të larta për huamarrje dhe rreziqet që lidhen me rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave mbeten pika dobësie për ekonominë shqiptare.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion