Kafeja e mëngjesit, koha kur e pimë mund të ketë vërtet rëndësi për shëndetin

Për miliona njerëz, dita fillon me një filxhan kafe. Është një gjest automatik, pothuajse një ritual, që shoqëron zgjimin, nisjen për në punë dhe rutinën e përditshme. Por, sipas hulumtimeve të fundit, nuk ka rëndësi vetëm sasia e kafesë që pimë, por edhe koha kur e konsumojmë.
Një studim i botuar në vitin 2025 analizoi lidhjen midis kohës së konsumimit të kafesë dhe vdekshmërisë te të rriturit në SHBA. Studiuesit vunë re se ata që pinin kafe kryesisht në mëngjes shfaqnin një lidhje më të fortë me një rrezik më të ulët vdekshmërie sesa ata që e konsumonin më vonë gjatë ditës.
Konkretisht, njerëzit që pinin kafe vetëm në mëngjes kishin një rrezik 16% më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe një rrezik 31% më të ulët të vdekshmërisë kardiovaskulare, krahasuar me ata që nuk pinin kafe. Ndërsa ata që e konsumonin kafen gjatë gjithë ditës nuk treguan të njëjtin përfitim.
Është e rëndësishme të sqarohet një pikë: këto të dhëna nuk vërtetojnë se kafeja e mëngjesit “shëron” ose garanton një jetë më të gjatë. Bëhet fjalë për studime vëzhguese, të cilat tregojnë lidhje, por jo një marrëdhënie të qartë shkak-pasojë. Megjithatë, rezultatet janë interesante, pasi sugjerojnë se trupi mund të reagojë ndryshe ndaj kafesë në varësi të kohës së ditës kur ajo konsumohet.
Mëngjesi, në fakt, është periudha kur sistemi nervor simpatik është tashmë më aktiv dhe kjo mund ta bëjë ndikimin e kafeinës më të favorshëm sesa nëse konsumohet në mbrëmje ose shpërndahet gjatë gjithë ditës.
Edhe sasia ka rëndësi. Analizat e cituara nga burime të ndryshme tregojnë se konsumi i moderuar, zakonisht nga dy deri në tre filxhanë në ditë, lidhet më shpesh me përfitimet e vëzhguara në studime. Kjo nuk do të thotë se pirja e më shumë kafesë është gjithmonë më e dobishme, as që të gjithë duhet t’i ndryshojnë në mënyrë strikte zakonet e tyre. Mesazhi kryesor është se kafeja, kur konsumohet me moderim dhe veçanërisht në mëngjes, mund të jetë pjesë e një stili jetese që, sipas disa studimeve, lidhet me një shëndet më të mirë.


