Sh'përthimi në Athinë që pl'agosi 4 persona, dyshimet bien mbi një shqiptar

Një shqiptar me precedentë penalë është i dyshuari kryesor për shpërthimin e ndodhur mesditën e së mërkurës (21 tetor) në lagjen Kolonos të Athinës. Incidenti la të plagosur dy civilë dhe dy policë, ku njëri prej këtyre të fundit pësoi dëmtime të rënda në dorë dhe sy.
Shpërthimi ndodhi kur oficeri, duke u përpjekur të kontrollonte një çantë të gjetur pranë ashensorit, shtypi aksidentalisht butonin e telekomandës brenda saj.
Para ngjarjes, administratori i shkallës dhe një banor denoncuan në polici praninë e një çante me sende të dyshimta, ku gjatë ekzaminimeve nga oficerët e policisë rezultoi të kishte heroinë, një peshore dhe një mekanizëm shpërthyes artizanal me fuqi të ulët.
Sipas hetimeve, i dyshuari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, jeton në po atë pallat. Besohet se pas shpërthimit ai zbriti, pa se çfarë ndodhi dhe u kthye në banesë për të marrë disa gjëra personale, duke thyer derën pasi kishte mbetur jashtë nga paniku.
Ai më pas u largua, duke lënë pas celularët e tij. I dyshuari ishte liruar nga burgu në shtator, pasi ishte dënuar në vitin 2008 për trafik të 100 gramëve kokaine.
Hetuesit dyshojnë se akti ka lidhje me trafikun e drogës. Po hetohet nëse çanta ishte lënë qëllimisht për t’u marrë nga dikush tjetër ose mund të ishte pjesë e një kurthi nga bandat rivale.


