Shpërthim me eksploziv në optikën në Krujë, zbulohet emri i pronarit pensionist të biznesit

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 02:00 pas mesnate në qytetin e Krujës. Sipas BW, objektiv i sulmit ka qenë një dyqan optike në pronësi të okulistit pensionist Petrit Rroshi.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në ambientet e dyqanit, por edhe në disa banesa e biznese përreth. Dëmtime ka pësuar edhe Njësia Vendore e Shërbimit të Kujdesit ndaj Shëndetit, e cila ndodhet ngjitur me optikën ku u vendos lënda plasëse.
Paraprakisht, dyshohet se sulmi mund të jetë një mesazh nda kompanisë “Max optika”, pasi vetëm tri ditë më parë një ngjarje e ngjashme u regjistrua në Fier, ku u sulmua me eksploziv një tjetër dyqan i së njëjtës kompani.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonën përreth. Nga pamjet paraprake, dyshohet se një person i maskuar është afruar në këmbë, ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar sërish në këmbë.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të sulmit.


