"Ti je ende personi më i mirë që njoh"/ Michelle Obama i uron Barack Obamës ditëlindjen me një mesazh prekës

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, festoi të dielën ditëlindjen e tij të 64-të, ndërsa urimin më të veçantë e mori nga bashkëshortja e tij, Michelle Obama. Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ish-zonja e parë e SHBA-së e shprehu dashurinë dhe mirënjohjen për bashkëshortin e saj me një mesazh të përzemërt.
“Gëzuar ditëlindjen dashuri e jetës sime. Edhe pas gjithë këtyre viteve, ti je ende personi më i mirë që njoh,” shkroi Michelle në postim, të cilin e shoqëroi me një fotografi të çiftit së bashku. Barack Obama iu përgjigj menjëherë urimit duke komentuar:
“Të dua, Michelle! Faleminderit të gjithëve për urimet më të mira.”
Ky mesazh i ndjerë vjen vetëm disa muaj pas deklaratave të Michelle Obama për martesën e tyre, pas zërave që kishin qarkulluar në media për një ndarje të mundshme. Në prill, gjatë një interviste me aktoren Sophia Bush në podkastin “Work in Progress”, Michelle foli hapur për sfidat në çift dhe mohoi kategorikisht thashethemet për divorc.
Ajo e preku sërish këtë temë muajin e kaluar në podkastin “IMO”, të cilin e prezanton së bashku me vëllain e saj, Craig Robinson, ku këtë herë ishte i ftuar edhe vetë Barack Obama.
“Nuk pati asnjë moment në martesën tonë kur mendova të largohesha nga burri im,” theksoi ajo.


