Të martuar prej 29 vitesh, çifti i këngëtarëve rrëfen sikletin e dasmës: “Ishte tabu, serbët kishin…”

Një rrëfim për dashurinë e kurorëzuar 29 vite më parë, ka ardhur nga Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Në një intervistë televizive tëk “Rudina”, këngëtarët nga Kosova kanë treguar për eksperiencat e tyre, duke e nisur me dasmën. Dyshja tha se vendi ku u organizua eventi ishte sikleti më i madh asokohe.
“I vetmi siklet ka qenë lokali ku e kemi organizuar, sepse ishte një periudhë kur serbët i kishin zaptuar të gjitha lokalet e bukura dhe e bëmë në një klub futbolli ‘Flamurtari’ dhe çdo gjë e zbukuruam me mundësitë tona. Por numri i dasmorëve ishte shumë i madh dhe kur vallëzohej kishte shumë dendësi brenda dhe ishte një lloj sikleti.
Një siklet tjetër ishte si po funksionon grupi muzikor, sepse ne kryesonim grupin, pastaj ne kishim bërë të gjitha përgatitjet që dasma të ishte tradicionale, por me shumë elemente që i kishim marrë nga Evropa dhe Amerika dhe e kishim përgatitur se si do futeshin vajzat dhe djemtë e rinj me trëndafila etj., gjëra që bëheshin për herë të parë në Prishtinë.
Dhe ishte gjithmonë ai shqetësimi a do të bëhet ashtu siç i kishim përgatitur neve. Në anën tjetër që ndodhnin ndoshta për herë të parë në dasmë”, rrëfeu Naimi.
Ndërsa Mihrija u shpreh: “Po, kënduam disa këngë bashkë. Thanë ‘kemi qejf të dëgjojmë nusen dhe dhëndrin duke kënduar’. Unë u hutova, ishte dhe momenti që nusja duhet të mbante dhe pak atë qëndrimin, edhe s’kisha dëgjuar asnjëherë dhe dëgjova si nuse e dëgjueshme dhe këndova me Naimin.
Ka qenë ndër pikat shumë interesante dhe shumë të dashura gjatë gjithë ceremonisë sonë. Kur kemi parë videon, na pëlqente shumë vetja dhe ishte kujtim shumë i bukur. Ishte një tabu, sepse nuk e dinim nëse kishte kënduar ndonjëherë një çift në dasmën e tyre”.


