Covid-19 ka “gjunjëzuar” ekonominë gjermane, humbje katastrofike në tre mujorin e parë të 2021

Bota

Covid-19 ka “gjunjëzuar” ekonominë gjermane, humbje

Mbyllja e dytë për zbutjen e pandemisë e ngadalësoi ekonominë gjermane në fillim të vitit. Rënia ekonomike doli të ishte disi më e fortë nga sa supozohej më parë.

Mbyllja e dytë për zbutjen e pandemisë e ngadalësoi ekonominë gjermane në fillim të vitit. Rënia ekonomike doli të ishte disi më e fortë nga sa supozohej më parë. Prodhimi i brendshëm bruto, në tremujorin e parë të vitit 2021, u zvogëlua me 1.8 përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, siç njoftoi të martën Zyra Federale e Statistikave. Në një llogaritje paraprake të mëparshme rënia ishte 1,7 përqind.

Gjermania pati kështu një fillimviti relativisht të dobët në krahasim me zonën e euros, e cila pësoi një humbje prej vetëm 0.6 përqind, ndërsa ekonomia më e madhe në botë, SHBA, u rrit me 1.6 përqind, edhe falë vaksinimit të shpejtë.

Konsumi privat më me humbje

Në veçanti, konsumi privat, i cili normalisht është një shtyllë solide e ekonomisë së brendshme, ka pësuar humbje. Kufizimet e zgjatura dhe deri diku të shtrënguara në luftën kundër pandemisë, e ngadalësuan sidomos xhiron e shitjes me pakicë, e hoteleve dhe restoranteve: konsumi privat ra me 5,4 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Edhe ngritja e taksës së vlerës së shtuar (TVSH) në nivelin e mëparshëm pati efekt negativ. Konsumatorët i kishin bërë blerjet e mëdha më përpara, në gjysmën e dytë të vitit 2020, kur TVSH ishte ulur si masë për ngritjen e koniunkturës. Këto blerje munguan në statistikat e konsumit për tremujorin e parë të vitit aktual.

Nga ana tjetër, tregtia e jashtme përfitoi nga rritja e kërkesës globale. Por këtu importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën dukshëm (plus 3,8 përqind) më shumë se eksportet (plus 1,8 përqind). Sidoqoftë, kompanitë i ulën investimet e tyre në makineri, pajisje, automjete dhe pajisje me 0.2 përqind. Konsumi i qeverisë u rrit me 0,2 përqind, ndërsa investimet në ndërtim u rritën me 1,1 përqind.

Goditjet e fundit të pandemisë?

Pas rënies në fillim të krizës së Koronës në pranverën e vitit 2020, ekonomia më e madhe e Evropës fillimisht u rrit për dy tremujorë radhazi. “Sado të hidhura që ishin goditjet prapakthyese në tremujorin e parë të këtij viti, ato ishin të fundit për momentin,” thotë kryeekonomisti i VP Bank, Thomas Gitzel. “Rënia e ndjeshme e incidencës dhe shtimi i imunizimit të pjesëve të gjera të popullsisë do të bëjnë të mundur hapjen. Po afrohet një verë e relaksuar, që do të sjellë më shumë para në arkat e dyqaneve.”

Pika e dobët e ekonomisë, megjithatë, mbetet mungesa e materialeve, sipas Gitzel. “Mungesa akute e materialeve gjysmëpërçuese është bërë një sprovë serioze për industrinë gjermane të automobilëve – të paktën në planin afatshkurtër, tha Gitzel.” Por ka edhe një mungesë materialesh në industrinë e ndërtimit, duke filluar nga druri e deri te boja. “Lajmi i mirë, megjithatë, është se efektet rikuperuese në sektorin e shërbimeve do të jenë aq të forta saqë, në planin makroekonomik, ato do të kompensojnë edhe humbjet e shkaktuara nga mungesa materiale në industri.”
Në parashikimin e saj më të fundit, qeveria federale përllogariste një rritje me afro 3,5 për qind. Prodhimi ekonomik ra vitin e kaluar me rreth 5 për qind. Por Banka Federale parashikon se niveli i para krizës do të arrihet përsëri në vitin e ardhshëm./DW

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion