“Nëse nuk shitesh, nuk ke vlerë” – Ermal Mamaqi ndez rrjetin me deklaratën e tij

Në një intervistë të fundit në podcastin e Ilnisa Agollit, Ermal Mamaqi, producent, aktor dhe trajner motivimi, ka bërë një deklaratë që ka ngjallur reagime të menjëhershme:
“Nëse nuk shitesh, nuk ke vlerë.”
Deklarata e tij është komentuar gjerësisht në rrjet, ku një pjesë e publikut e ka cilësuar si një realitet të fortë të kohëve moderne, ndërsa të tjerë e kanë parë si një qasje sipërfaqësore dhe materialiste, që ul vlerën e përmbajtjes në raport me imazhin.
Në vazhdim të intervistës, Mamaqi theksoi se:
"Ka shumë njerez me talent te jashtëzakonshem që nuk njihen, sepse nuk dinë te shesin veten. Nëse nuk di te pozicionohesh, nëse nuk arrin te kapësh vemendjen, je i padukshëm."
Sipas tij, në një botë të mbingarkuar me informacione dhe konkurrencë, “shitja” nuk ka të bëjë thjesht me tregti, por me mënyrën se si prezanton veten, idetë dhe aftësitë, për të gjeneruar ndikim real.
Kjo filozofi përputhet me narrativën që Mamaqi ka ndjekur vitet e fundit përmes seminareve të tij për markën personale, komunikimin dhe mentalitetin fitues, duke promovuar idenë se suksesi kërkon ekspozim.
Megjithatë, deklarata nuk u pa vetëm si teori biznesi. Në rrjete sociale, komentuesit kanë rikujtuar angazhimet publike të Mamaqit, si bashkëpunimet me figura politike nga PD tek PS, dhe rastin e diskutueshëm kur Bashkia e Tiranës i akordoi 80,000€ për filmin “Dy gisht mjaltë”.
Ndërsa kritikët e shohin si simbol të komercializimit të artit dhe vetes, të tjerë e përkrahin si një pasqyrim realist të kohës, ku një ide, një produkt apo një individ pa ndikim publik, mbetet i pashfrytëzuar.