Klajdi Haruni rrëfen historinë e dashurisë: ‘Nuk rrija dot pa folur me të’, por ende pa një propozim

Këngëtari i njohur shqiptar, Klajdi Haruni, ka ndarë momente nga jeta e tij personale dhe historia e dashurisë në një intervistë me Arbana Osmanin. Ai ka rrëfyer se komunikimi me partneren e tij është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre është e fortë dhe e veçantë.
Në episodin e fundit të spektaklit “Mirëmbrëma yje”, ku të ftuar ishin Klajdi Haruni, Mihallaq Andrea, Anxhela Peristeri dhe Viola Spiro, u zbuluan histori dhe sekrete të treguara për herë të parë.
Viola, e cila është një nga mikeshat e Orgesës, partneres së Klajdit, tregoi se dyshja janë njohur përmes një grupi të përbashkët miqsh. Megjithatë, sipas saj, ishte Klajdi ai që bëri hapin e parë për ta çuar miqësinë e tyre në një tjetër nivel.
“Kam pasur një fazë tranzit që mendoja se nuk doja të mblidhesha, të krijoja diçka, atë që sot falënderoj Zotin dhe jam super i lumtur që e kam. E kisha llogaritur që lëre, por ndërkohë nuk rrija dot pa e marrë në telefon, nuk rrija dot pa ia dëgjuar zërin, i këndoja në telefon. Një nga gjërat që ka qenë në dashurinë tonë, në një nga telefonatat po i këndoja këngën ‘Jetë’ ”, thotë Klajdi, i përfshirë nga një buzëqeshje ndërsa në mend i vjen heshtja nga ana tjetër e telefonit dhe fjalët: “Se ç’kam ca flutura këtu”.
Vendimi për të zgjeruar familjen ka qenë një moment i papritur, një dëshirë spontane që Orgesa e ka pranuar menjëherë. “Gjatë një udhëtimi në Shkodër, ku ishte edhe Anxhela me ne, i thashë: ‘Shpirt, mund ta marr si premtim dëshirën tënde për të pasur një fëmijë?’ Ajo u përgjigj me një ‘Po’ të sigurt. Pas asaj bisede, u nisëm për Maldive”, ka treguar Klajdi.
Megjithatë, sa i përket propozimit për martesë, ai ende nuk ka ndodhur. Orgesa e njeh aq mirë partnerin e saj, saqë ai nuk ka arritur ta surprizojë me një propozim të vërtetë deri tani.
Ndërkohë, fansat e Klajdit presin me kuriozitet zhvillimet e mëtejshme në jetën e tij dhe nuk e fshehin dëshirën për të parë një hap tjetër të madh nga këngëtari i njohur.


