Shkeljet e policisë gjatë protestave, AMP "vë në sitë" efektivët, pezullohen 6 policë dhe një shef Rendi

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për rastet e dyshuara të shkeljeve ligjore nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestave të dhunshme në Tiranë dhe qytete të tjera. AMP njofton se ka qenë e pranishme në terren dhe po analizon edhe pamjet filmike të publikuara në media dhe rrjetet sociale, për të përcaktuar përgjegjësitë.
“Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thotë AMP.
6 efektivë dhe një shefi Rendi janë pezulluar deri më tani pas dyshimeve se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Katër policë dhe shefi i Rendit në Komisariatin Nr. 1 u pezulluan nga detyra më 13 tetor pasi në rrjet qarkulluan me shpejtësi pamje kur efektivët mbanin nga gjymtyrët një 19-vjeçar me këmbë të thyer. Ndërsa dy efektivë të tjerë u pezulluan në protestën e 16 tetorit pasi sulmuan një të protestues cili dallohet duke qëndruar në këmbë në Rrugën e Durrësit në momentin kur polici e sulmon.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo në një mesazh drejtuar bluve tha se përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë proporcional dhe se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.
AMP thotë se për rastet ku dyshohet se janë konsumuar vepra penale, hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Policia e Shtetit ka ngritur edhe një grup të posaçëm për të verifikuar veprimet e efektivëve gjatë protestave.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me fokus evidentimin dhe verifikimin e çdo rasti të dyshuar për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kuadër të këtij procesi, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimit të protestave, duke evidentuar raste konkrete.
Gjithashtu, AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për rastet e evidentuara, AMP po vijon veprimet në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit. Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e angazhuar në përmbushjen me përgjegjësi të misionit të saj ligjor, përmes pranisë aktive në terren, monitorimit të vazhdueshëm dhe verifikimit të çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Agjencia do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.


