Sali Berisha paraqitet në SPAK, ish-kryeministri zbaton masën “detyrim paraqitje”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.
Berisha u prit nga një grup mbështetësish para ambienteve të SPAK, si edhe disa prej deputetëve të PD.
Ish-kryeministri Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave.
Deklarata:
Berisha: Sot është më aktual se kurrë roli armiqësor i Skapit të Partisë Socialiste kundër votës së lirë të shqiptarëve
Sot është më aktual se asnjëherë tjetër roli armiqësor i kësaj organizate të Partisë Socialiste ndaj votës së lirë të shqiptarëve dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Kjo organizatë u bë mburojë e krimeve më të shëmtuara elektorale, më të padëgjuara ndonjëherë.
Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, ligji i vendit dhe ligji ndërkombëtar për zgjedhjet nuk ekziston.
Për këtë organizatë të Partisë së Krimit, 54 dosje të dorëzuara vetëm për zgjedhjet e fundit janë konservuar turshi dhe i janë dhënë Partisë së Krimit.
Për këtë organizatë, organizimi nga narkoqeveria i 4530 aktiviteteve jashtë afateve ligjore për të ndikuar tek qytetarët në votën e tyre, nuk përbëjnë shkelje ligjore.
Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, patronazhistët, këta terroristë politikë që mbledhin letërnjoftimet, që firmosin leje ndërtimi, firmosin certifikata pronësie, që bëjnë kërcënime monstruoze në shkëmbim të votës, nuk kryejnë krime por zbatojnë porositë e Padrinos.
Për këtë organizatë të Partisë Socialiste, falja e 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata 2 ditë para votimit nuk janë krim, por janë dhuratë e Partisë së Krimit, partisë së tyre për qytetarët.
Për këtë organizatë të PS, firmosja e 138 licencave për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis ndërkohë që ligji lejon vetëm 200, kanabis për votë, nuk janë krime sepse akte të Padrinos së tyre.
Për këtë organizatë, mobilizimi i karteleve të drogës, Çelajve, Troplinëve, Hakmarrjes për Drejtësi, etj, në fushatë elektoralë, për deputetët e Kodrës së Kuajve etj, nuk janë krime, por janë ndihmë për partinë e tyre.
Për këtë organizatë, konstatimet e vëzhguesve ndërkombëtare se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik, dhe renditja e qarqeve ku krimi i organizuar ndikoi rezultatet, nuk përbën krim, por ndihmë për Partinë e Krimit.
Për këtë organizatë, armike të pluralizmit politik, asnjë parim, asnjë ligj, nuk vlen para fitores dhe rrëmbimit të mandatit nga Padrino i tyre.


