Rama për Reuters: “Ja pse nuk do të jap dorëheqjen
![]()
Kryeministri Rama i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të studentëve.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion. Përgjegjësia ime është që të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Rama.
Rama tha se do të ishte gati që të diskutonte koston në rritje të arsimit por sipas tij sulmi ndaj institucioneve nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve.
“Sulmi ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat legjitime të studentëve”, tha Rama.
Reuters shkruan se këto protesta shënojnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili fitoi një mandat të katërt si kryeministër vitin e kaluar. Kryeministri shqiptar ndalet edhe tek lufta kundër korrupsionit.
“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka riafirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si një shtet pararojë e procesit të anëtarësimit në BE. Unë nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, tha Rama.
Në shkrimin e agjensisë Reutes thuhet se Shqipëria së bashku me Malin e Zi, aktualisht po udhëheq procesin e zgjerimit mes vendeve ballkanike dhe synon anëtarësimin në BE në vitin 2028.


