Protestuesit ngjiten në shkallët e Kryeministrisë, tentojnë të godasin derën kryesore por...

Një pjesë e protestuesve janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë dhe, duke marrë karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur për dialog, kanë tentuar të godasin derën e Kryeministrisë.
Menjëherë pas këtij veprimi nga studentët, ka ndërhyrë policia, e cila i ka zbritur poshtë dhe i ka bashkuar me pjesën tjetër të protestuesve.
Permendim qe Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje për dialog protestuesve prej dy ditesh. Në shenjë simbolike, para godinës së Kryeministrisë janë vendosur karrige në formë rrethore, të shoqëruara me pankarta ku shkruhet “DIALOG”, si një ftesë e hapur për diskutim.
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë. Unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, deklaroi Rama, duke theksuar se nuk janë të mirëpritur ata që ushtrojnë dhunë apo nuk distancohen prej saj.
Përgjigjja e protestuesve ka ardhur përmes një mesazhi të vendosur mbi njërën prej karrigeve, ku shkruhet “Jep dorëheqjen”. Me këtë reagim, ata kanë refuzuar ofertën e dialogut në këto kushte, duke këmbëngulur në largimin e kryeministrit nga detyra.


