Protestuesit mblidhen para Ministrisë së Arsimit pas përplasjeve të djeshme/ Qytetari: Na dogjën rininë!

Pas përplasjeve dhe dhunës policore të ditës së djeshme, qytetarët kanë nisur të mblidhen sërish para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në vijim të protestave kundër qeverisë.
Studentët përpara Ministrisë së Arsimit, të pamaskuar me revoltën dhe deklaratat e tyre i japin përgjigje kryeministrit Rama që flet për “të infiltruar” në protestë. Ata dalin me zë e figurë duke i kërkuar dorëheqjen.
Mes protestuesve, një qytetar ka shprehur indinjatën për situatën në vend dhe dhunën ndaj të rinjve, duke thënë se Shqipëria po humbet të ardhmen e saj për shkak të largimit dhe shkatërrimit të shpresave të brezit të ri.
“Do të iki jashtë, do të arratisem. Ky vend nuk ka të ardhme pa rininë. Na e dogjën rininë! Unë jam 35 vjeç, jemi të mbaruar. Ku është arsimi, shëndetësia, ku janë?”, u shpreh ai.
Qytetari ngriti pikëpyetje edhe për përgjegjësinë e institucioneve, duke akuzuar se situata po dëmton edukimin dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë.
“Nuk po edukohet më një brez, por po shkatërrohet. E kam mundësinë të iki, por dua të jetoj këtu. Kjo që po na ndodh është e tmerrshme”, deklaroi ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë përballë asaj që po ndodh, duke pretenduar se krimi ka kapur çdo gjë në vend.


